Google ADS

OSBE mbështet reformat e nisura në Shqipëri

13:38 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë vizitës që po zhvillon në Austri u takua me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, me të cilin shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, si dhe diskutuan për bashkëpunimin e Shqipërisë me OSBE-në.

Zannier ripohoi mbështetjen e fortë të OSBE-së për reformat e nisura në Shqipëri dhe gatishmërinë e Organizatës për të vijuar të ndihmojë procesin zgjedhor në vend, ndër të tjera edhe përmes vëzhgimit të zgjedhjeve të ardhshme kuvendore.

Sekretari i Përgjithshëm solli ndër mend kontributin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për shkatërrimin në mënyrë të sigurt të municioneve konvencionale të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme në vend dhe shkëmbeu pikëpamje me ministren për sfidat trans-nacionale, përfshirë sigurinë kibernetike, dhe për mënyrat se si mund të ndihmojë OSBE-ja në trajtimin e tyre.

Nga ana e saj, ministrja Kodheli e falënderoi OSBE-në për mbështetjen e saj të vijueshme për Shqipërinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme