Google ADS

Gjërat që nuk i keni ditur për Manjola Nallbanin

08:41 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Shumë persona teksa dëgjojnë emrin e saj apo shohin daljet në skenë patjetër kujtojnë edhe talentin e saj në aktrim, por vazhdimësia në muzikë e bëri atë një divë të skenës shqiptare.

Manjola Nallbani është personazhi i cili foli për gazetën Shekulli, duke rrëfyer mbi jetën e saj profesionale dhe familjare.

Nallbani teksa ndalet tek luajtja e roleve në filma thekson se në aktrim u gjend rastësisht, ndërsa dashuria që ka ndaj muzikës e profilizoi këtu duke realizuar me shumë punë profilin e artistes së dëshiruar. Por, Manjola ka një tjetër marrëdhënie të fortë me librin.

Ky i fundit është për këngëtaren “ushqim për shpirtin”, e sigurisht janë edhe frymëzim për të. Këngëtarja ndër të tjera tregon se shumë shpejt do të sjellë dy këngë të reja, një do jetë solo e në një tjetër do të vij bashkë me këngëtarin Stefi Prifti. Përveç anës profesionale, bashkë me artisten u ndalëm edhe tek familja apo tek aktivitetet e saj jashtë muzikës.

Këto muajt e fundit nuk kemi një këngë të re nga ju, kur do kemi një këngë të re në treg?

Nuk është qëllimi im të bëj sa më shumë këngë si sasi, por këngë që të mbeten. Madje sukses të vërtetë unë e quaj kur sa më shumë kohë kalon koha, aq më të dashura bëhen për njerëzit dhe kjo ndodh kur ti përmes interpretimit shpirtëror pastaj vokal, fjalës e muzikës, arrin të krijosh emocion te publiku apo që shumëkush të gjej vetveten në këngët e tua. Momentalisht po punoj për një këngë të re solo dhe një bashkëpunim (duet) me këngëtarin e mirënjohur Stefi Prifti dhe orkestrim nga Edmond Zhulali. Është një këngë shumë e bukur dhe muzikë e ndjerë, kompozuar nga një muzikant i talentuar Endri Muçaj dhe poezinë e krijuar nga unë, me titull “Dashuria ekziston”.

Manjola ju në fillimet tuaja të karrierës artistike keni luajtur edhe role në filma, përse zgjodhët muzikën dhe jo fushën e aktrimit në vijim? 

Muzika ishte jo vetëm pasioni im i madh po besoj që zëri ishte një dhuratë e vërtetë nga Zoti dhe mjeti më i fuqishëm për të shprehur  shpirtin, ndjesitë e botën time. Unë kisha kryer Liceun artistik për Kanto dhe vazhdova konservatorin për muzikë lirike, megjithëse fitova dhe fazën e parë të konkursit për dramë. Fakti që luajta dy role në filma nuk më bëri të ndryshoj profil, sepse doja që karriera në muzikë lirike do ishte shumë jetëgjatë ose për faktin që për t’u bërë artistja që ëndërroj si këngëtare, kisha studiuar e punuar shumë, ndërsa në aktrim u gjenda krejt rastësisht.

Ndërkohë jeni një këngëtare e cila, ka dhënë kontributin në muzikën qytetare, jo vetëm pop, kjo si rezultat i timbrit të zërit tuaj, pra ngjyrës tuaj apo se ju keni dëshirë të jepni kontributin në zhanre të ndryshme muzikore? 

Nuk ka lidhje me dëshirën për të dhënë kontribut nëse nuk e ke aftësinë për ta bërë. Jo çdo artist mund të këndojë këngë qytetare apo popullore dhe pse mund të jesh e shkolluar. Kjo sepse muzika pop shqiptare është shumë e larmishme dhe duhet ta njohësh muzikën e çdo treve që ta këndosh në karakter.  Të tjera mode e stil të kënduari ka Shqipëria e mesme, tjetër jugu e tjetër veriu. Unë e kam përsosur interpretimin e këngëve pop falë viteve në skenë dhe koncerteve të shumta që kam pasur brenda dhe jashtë vendit.

Do kemi ndonjë tjetër album nga ju?

Albumi “Tingujt e shpirtit tim” me 2 CD me 21 këngë të lehta dhe popullore me krijime të reja dhe me të mirat në vite ka dalë para 1 viti kështu që është shumë shpejt për të menduar për një album tjetër.

Ju keni një raport shumë të mirë edhe me të shkruarin, poezinë…

Libri është ushqimi im shpirtëror që kur kam qenë fëmijë e deri më sot. Kam shkruar disa nga poezitë e këngëve të mia dhe besoj që kjo ka ardhur shumë natyrshëm nga gjithë informacioni dhe frymëzimi që kam marrë në mënyrë konstante nga librat. Kam bindjen që libri të zbukuron mendjen dhe shpirtin, por natyrisht jo çdo autor apo libër.

Keni një autor apo libër të preferuar?

Librat që më kanë mahnitur kanë qenë “Kodi i Da Vinçit” i Dan Broën. “SHPIRTI” B.L.Elss. “40  rregullat e dashurisë”, Elif Shafak. Kur dua diçka më argëtuese autorja e preferuar është Sophie Kinsella dhe romancë – Gjithë seria e librave të Sveva. C. Modignani. Ama libri më i çmuar e më  me tepër vlerë shpirtërore, për mua, gjithë jetën do të jetë libri i shkruar në moshën 10-vjeçare, nga vajza ime-Sindi.

Një tjetër kontribut i juaji është edhe mësimdhënie në Akademinë e Arteve, ç’mund të na thoni për brezat e rinj dhe muzikën që ato bëjnë?

Universiteti i Arteve ka studentë me zëra të shkëlqyer dhe të rinj që të bëjnë ta duash çdo ditë e më shumë punën me ta sikurse ka ndonjë me talent modest po që gjithsesi përpiqet të ndjekë pasionin e vet. Mua më gëzon shumë fakti që si studentët ashtu dhe politikat e drejtuesve të universitetit nuk janë më me rreze të ngushtë orientimi profesional. Një student për të qenë i suksesshëm dhe me vlerë në skenë apo tregun e punës, sot duhet të jetë shumëndimensional dhe me aftësi interpretuese në disa gjini muzikore.

Të ndalemi pak tek Manjola jashtë muzikës dhe profesionit si pedagoge. Si është Manjola në një ditë të zakonshme?

Si nis dhe si mbyllet dita e saj? Manjola brenda shtëpisë është mama, grua dhe zonja e shtëpisë. Zgjohem dhe nisim ditën në 7 të mëngjesit dhe pasi përcjell vajzën në shkollë bëhen gati për në punë. Kur mbaroj punën në universitet e gjithë pjesa tjetër është me vajzën dhe tim shoq. Dhe kur kam koncerte apo angazhime, para vitesh vajza e madhe, tani e vogla janë shoqërueset e mia pothuaj të përhershme.

Po raporti juaj me bashkëshortin… ai gjykatës, ju muzikante. Si kanë ndikuar këto dy profesione tuajat tek njeri-tjetri?

Në fakt ne vërtetojmë teorinë e tërheqjes së të kundërtave. Jo vetëm në profesion por dhe në natyrë apo në preferenca që kemi për gjëra të ndryshme. Por nëse nuk do të kishim pasur së pari ndjenjën dhe së dyti të njëjtën përgjegjësi për fëmijët dhe familjen, natyrisht që lidhja s’do të kishte funksionuar dhe këto janë tipare të karakterit të secilit, nuk kanë lidhje me profesionin. Në fakt dhe për shkak të natyrës së punës, Sokoli përpiqet t’i mbajë jashtë shtëpisë bisedat apo shqetësimet profesionale dhe mund të them që edhe pse shumë të ndryshme profesionet s’kanë qenë asnjëherë pengesë apo faktor ndikues mes nesh.

A ju pëlqejnë aktivitete sportive? A keni një sport të preferuar?

Jo shumë. (Ndryshe nga ç’dukem). Më tepër më pëlqen tenisi.

Jemi thuajse në ardhje të verës, e kryesisht ne shqiptarët gjithmonë rezervojmë ditë pushimesh në këtë stinë. Edhe për ju vera është koha kur organizoni pushimet apo është e mbushur me aktivitete e koncerte?

Kam koncerte po nëse caktojmë datat kur do të marrim pushimet të katërt, asnjë koncert sado i leverdisshëm apo me rëndësi nuk hyn më në axhendën time.

Kryesisht pushimet i kaloni në vendin tonë apo jashtë?

Ndonjëherë në jug e ndonjëherë jashtë.

A ka diçka që e mbroni me fanatizëm (send, dhuratë)?

Dhuratat më të shtrenjta për mua janë ato që më bëjnë familja ime për festa të ndryshme, por jo vetëm. Sidomos një vlerë të paçmuar kanë letrat që më shkruajnë ato.

Duke parë që jeni me angazhime, më lejoni t’ju pyes, a jeni një amvisë e mirë?  A ju pëlqen të gatuani? Nëse po keni një pjatë të preferuar?

Në fakt pa modesti, gatuaj shumë mirë. Vajzat dhe im shoq më thonë që mbasi hanë gjërat që bëj unë mezi ju shijon dhe në lokale shumë të mira kuzhina, sidomos pastat me fruta deti, tavën e peshkut apo gatime tradicionale tonat. Më pëlqen shumë dhe ti servir bukur, qoftë dhe kur bëj një vezë të thjeshtë për mëngjes. Kur çelin lulet në ballkon i këpus dhe i vë në gota të vogla nëpër tavolinë, ose letrat i bardha i pres në formë zemre e i vë poshtë pjatës. Gjëra të vogla. Nuk di fare të bëj ëmbëlsira, por më mirë se mbaj nën kontroll perimetrin e belit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme