Google ADS

Ngjitje alpiniste në Malin e Thatë

08:21 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Administrata e Zonave të Mbrojtura e Korçës, në bashkëpunim me administratën e Parkut Kombëtar Prespa si dhe të rinj nga Pogradeci e Prespa, kanë organizuar në fundjavë një ngjitje alpiniste në majën më të lartë të Malit të Thatë, 2287 m.

Nisja u bë nga dy pikënisje, njeri grup u nis nga qendra e Parkut Kombëtar të Prespës, ndërsa grupi tjetër nga fshati Tushemisht, duke ndjekur shtegun Goricë-Pllaja e Pusit-Tushemisht.

Të dy grupet u takuan në Pllajën e Pusit, në pikën më të lartë.

Në këtë ngjitje alpiniste të vështirë, morën pjesë dhe të rinj të zonave respektive, dashamirës të natyrës dhe ecjeve sportive.

Administrata e Zonave të Mbrojtura e Korçës, po bënë përpjekje që ta fus këtë itinerar në guidat e veta turistike duke e prezantuar Malin e That si një destinacion turistik me vlera natyrore dhe sportive.

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë.

Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit ku quhet Galicicë.

Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe (në lindje të vet), nga ai i Ohrit (në perëndim).

Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m.

Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Të tilla gropa janë të pranishme gjithashtu edhe në anën perëndimore të tij.

Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287m mbi nivelin e detit.

Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjërë rreth 8km në pjesën qëndrore të vet.

Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçë ashtu dhe prej Pogradecit.

Mali i Thate

Ai përmendet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj, prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm, kur këta i referohen anëve tona.

Përmendet indirekt apo direkt, në shkrimet e lashta, në ato bizantine, në ato osmane, e deri tek shkrimet e udhëtarëve të huaj të cilët kaluan këtej, në këto shekujt e fundit.

Flora është e pasur, në pjesën jo të pjerrët të malit, pra në atë lindore e veriore, dhe në mbulesën e gjelbërt të këtij mali gjenden, luadhe, drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme.

Mali i Thatë ndahet prej Malit Ivan (1768m mbi nivelin e detit) prej Qafës së Zvezdës, e cila ndan njëkohësisht dhe fushën e Korçës nga pellgu i Liqenit të Prespës. Kjo qafë ndodhet në lartësinë 1099m, mbi nivelin e detit.

Thuajse në këmbë të Malit të Thatë, ndodhet edhe grykëklaimi i Cangonjit që lidh fushën e Korçës, me atë të Devollit.

Në rrëzë të tij ndodhen një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj.

Nga maja e Malit të Thatë në kohë të kthjellët duket maja e malit të Gramozit, që është në një distancë në vijë të drejtë prej 65 km larg.

Këtij mali, i ka kënduar dhe poeti ynë lirik Lasgush Poradeci, i frymëzuar nga motive popullore të zonës.

Mali i Thate

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme