Kuçi: Kushtetuta sublimon vullnetin e qytetarëve të Kosovës

19:54 | 7 Prill 2017
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë në ceremoninë solemne për shënimin e Ditës së Kushtetutës.

Zëvendëskryeministri Kuçi, njëherit kryetar i Komisionit Kushtetues, kujtoi punën që është bërë në përmbushjen e vullnetit të qytetarëve, por edhe obligimeve ndërkombëtare që kishte Kosova në atë kohë. Edhe pas sfidimeve të Kushtetutës, zëvendëskryeministri Kuçi u shpreh i lumtur që ajo është pikë referente për të gjithë qytetarët.

“Për të gjitha këto sfidime, që kanë shkuar edhe institucionet njëra me tjetrën edhe me qytetarët në Gjykatën Kushtetuese, na ka gëzuar një fakt, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë krijuar mentalitet që të zbatohet çdo vendim i kësaj Gjykate. Dhe e dyta, nuk ka individ sot, edhe pozitë edhe opozitë, edhe ata që në fillim e kanë dashur më pak Kushtetutën, që nuk referojnë veprimet e tyre në Kushtetutën e Kosovës, dhe kjo na gëzon” tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi:

Më lejoni në veçanti të falënderoj ministren Hoxha për mundësinë që më ka dhënë që në emër të Komisionit Kushtetues ta falënderoj për këtë organizim, por të flas edhe për punën që e kemi bërë në atë kohë.

Komisioni Kushtetues në atë kohë kishte dy sfida të mëdha: i pari ishte, si të sublimoj vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të shkrirë në dekada dhe të kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe e dyta, si të respektoj obligimet ndërkombëtare që i kishte Kosova në atë kohë.

Komisioni Kushtetues me vullnet, me përkushtim, me guxim, dhe do të thosha edhe me dije të theksuar, bëri atë që të ndërtoj një Kushtetutë që garanton Kosovën si një shtet sovran, të pavarur, të bazuar në rend dhe ligj dhe në demokraci, dhe që funksionon mbi bazën e pushteteve të ndara.

Nëse shikojmë nëntë vite më pas, neve anëtarëve të Komisionit Kushtetues na bëhet qejfi që kemi arritur qëllimin. Kjo Kushtetutë mundësoj që të funksionoj Kosova si shtet demokratik, që tërë institucionet tona të funksionojnë mbi bazën e saj, dhe të kemi ligje të mira që bazohen në Kushtetutë, të kemi ekonomi të lirë të tregut dhe integrim të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Po ashtu, i kemi kryer edhe obligimet ndërkombëtare që i kishim në atë kohë. Më lejoni të them që Kushtetuta është amandamentuar disa herë, dhe neve nuk na ka mbet hatri që është amandamentuar, se jeta është më evolutive se norma juridike. Ajo çka dua të them, është se ADN-ja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk do të ndryshohet asnjëherë. Këtu e kam mendjen në një shtet demokratik, në rend dhe ligj, në pavarësinë e gjyqësorit, në ekonominë e lirë të tregut, në të drejtat e njeriut, dhe disa të drejta tjera, që kulmojnë, sipas standardeve ndërkombëtare.

Kushtetuta është sfiduar po ashtu, dhe po ashtu dua të them që kemi ndërtuar mekanizma që e mbrojnë Kushtetutën nga sfidimet e mundshme. Për të gjitha këto sfidime, që kanë shkuar edhe institucionet njëra me tjetrën edhe me qytetarët në Gjykatën Kushtetuese, na ka gëzuar një fakt, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë krijuar mentalitet që të zbatohet çdo vendim i kësaj Gjykate.

Dhe e dyta, nuk ka individ sot, edhe pozitë edhe opozitë, edhe ata që në fillim e kanë dashur më pak Kushtetutën, që nuk referojnë veprimet e tyre në Kushtetutën e Kosovës, dhe kjo na gëzon. Më lejoni që të falënderoj për mbështetjen e madhe që e kemi pasur në atë kohë si komision, nga presidenti i tanishëm, në atë kohë kryeministër i vendit, nga presidenti, Kuvendi i Kosovës, kryetari i Kuvendit të asaj kohe, dhe të gjithë të tjerët.

Por, po ashtu, më lejoni të falënderoj Komisionin Kushtetues dhe anëtarët veç e veç, stafin administrativ dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të përmend tre prej tyre që nuk janë gjallë, znj. Nekibe Kelmendi, Ramadan Kelmendi dhe Fatmir Fehmiun, të cilët po ashtu kanë dhënë një kontribut të veçantë.

Dhe krejt në fund, nderi më i madh për ne hartuesit e Kushtetutës bëhet kur respektohet Kushtetuta, kur është pikë referente për secilin qytetar, dhe kur institucionet tona bazohen mbi të.

Unë ju uroj Ditën e Kushtetutës, dhe po ju them, Kushtetuta e Kosovës është më e fortë se para 9 viteve, rrjedhimisht edhe shteti i Kosovës është më i fortë sesa para 9 viteve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme