Konferenca që bashkoi 13 vende për aktivitetet e muzeut

14:08 | 6 Prill 2017
Arbresh.info

Në Muzeun e Kosovës ka filluar konferenca ndërkombëtare për Muze dhe Trashëgimi “MeetSeeDo”, në të cilën po marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës nga 13 shtete të ndryshme.

Kjo konferencë është e pesta me radhë, që këtë vit është bashkë organizim i Muzeut të Kosovës me Rrjetin Ballkanik të Muzeve.

Drejtori i Muzeut te Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se kjo konferencë është që të shihet se çfarë bënë një muze dhe të kalohet në veprime të përbashkëta mes muzeve në nivel rajonal dhe më gjerë.

“Jemi në një konferencë që quhet “MeetSeeDo” të takohemi, të shohim jo vetëm njëri-tjetrin se çfarë bënë një muze sot në rajon dhe duhet të kalohet nga fjalët në veprime, në veprime të përbashkëta, në aktivitete të përbashkëta edhe mes muzeve, edhe në nivel rajonal dhe më gjerë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se Muzeu i Kosovës për tri ditë është nikoqir i mbi 100 pjesëmarrësve nga 13 vendeve të botës.

“Ne e ofruam veten si nikoqir dhe u pranuam dhe ja ku jemi tash i kemi në Muzeun e Kosovës tri ditë më shumë se 100 pjesëmarrës nga 13 vende si pjesëmarrës, ndërsa, si prezantues kemi nga pjesa më e madhe e Evropës, kemi nga Suedia, Britania kemi amerikanë dhe të tjerë, do të thotë është një konferencë ose një takim pune për punëtorët e muzeve dhe një mjet i mirë kisha me thënë edhe për të promovuar në këtë rast Muzeun e Kosovës dhe vendin”, tha ai.

Sekretarja gjenerale e Rrjetit të Muzeve të Ballkanit, Aida Vezic, tha se qëllimi i kësaj konference është që profesionistët e fushës së muzeut të punojnë bashkë në çështje të përbashkëta dhe për të krijuar kushte më të mira pune për muzetë si institucione.

“Qëllimi është që ne si profesionistë të punojmë së bashkë në çështje të përbashkëta për të zgjidhur probleme të përbashkëta dhe për të krijuar kushte më të mira pune për muzetë si institucione, të cilat janë akterë relevant të shoqërisë dhe që kontribuojnë për shoqërinë në të gjitha aspektet si ai ekonomik, kulturor, shoqëror dhe politik. Qëllimi i kësaj konference është të mundësoj kolegëve që të bashkohen dhe bashkërisht të planifikojnë aktivitetet në të ardhmen dhe të ndajnë dituritë dhe qasjet në probleme duke mësuar nga njëri tjetri se si të ballafaqohen me çështje të ndryshme”, tha ajo.

Kurse, këshilltari i Ministrit të Kulturës, Arton Ahmetaj, tha se muzetë meritojnë një prezantim korrekt pasi që ato ruajnë pjesë të rëndësishme të memories kolektive.

“Të takosh, të shohësh dhe të bëhesh filozofi e angazhuar, angazhim filozofik konkret në këmbimin e përvojave të ndryshme që besoj unë duhet të ketë rol primarë në një rajon me një të kaluar goxha të trazuar, reprezentimin e historisë që meton pajtimin e ri pajtimin e popujve. Askujt më shumë se muzeve nuk i takon një reprezentim korrekt dhe qëllimi i historisë ngase ato ruajnë pjesë të rëndësishme të memories kolektive”, tha ai.

Konferenca është e organizuar nga Muzeu i Kosovës dhe Rrjeti i Muzeve të Ballkanit (BMN) dhe nga Fondacioni Trashëgimi Kulturore pa kufij (CHwB). Konferenca mbështetet nga Fondacioni Stavros Niarchos, Muzeu i Kosovës dhe Fondacioni, Trashëgimi Kulturore pa kufij i Kosovës./Arbresh.info/

dsc-0012_8157 dsc-0001_9619 img-7341 img-7345 img-7318_9004 dsc-0002_8200 img-7329 img-7337 dsc-0015_3361 img-7320_3763 img-7339

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme