Parlamenti Evropian mbrëmë vonë në Strasburg në sesion plenar e shqyrtoi raportin për përparimin e Maqedonisë në vitin 2016, i përpiluar nga raportuesi Ivo Vajgëll. Rezoluta për Maqedoninë duhet të votohet në sesionin e Parlamentit Evropian në maj.
Në pothuaj të gjitha diskutimet e eurodeputetëve, situata në Maqedoni u vlerësua si “shumë serioze”, ndërsa kriza politike gjithnjë e më e thellë, me vlerësim të përbashkët se kjo e rrezikon perspektivën evropiane të vendit. Folësit apelojnë të zhbllokohen proceset për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.
Sipas përfaqësuesit të presidencës së Maltës, Jan Borg, i cili morë pjesë në emër të Këshillit të BE-së, Maqedonia vuan nga polarizimi dhe kultura e ndarjeve, ndërsa mangësi sistemore janë regjistruar në sistemin gjyqësor, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.
Borg edhe një herë e theksoi shqetësimin e madh për shkak se ende nuk ka qeveri në Maqedoni. Ai përkujtoi se edhe kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk gjatë vizitës së fundit në Shkup kërkoi unitet në vend. Duke shprehur mbështetje për punën e PSP-së, Borg tha se qeveria e re duhet të punojë për reforma në vend përmes realizimit të marrëveshjes së Përzhinos dhe rekomandimet nga raporti i Pribes.
“Presim prioritet i parë i qeverisë të jenë reformat në dobi të vendit dhe qytetarëve dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane”, tha Borg.
Neven Mimica, eurokomisar i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit, u bëri thirrje faktorëve politik t’i respektojnë rezultatet nga zgjedhjet, presidenti Gjorge Ivanov të lejojë të formohet qeveri, ndërsa partitë politike të ndalojnë nxitjen e zjarrit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Kërkojmë nga Ivanovi t’i respektojë rezultatet nga zgjedhjet dhe të lejojë funksionimin e demokracisë. Jemi të shqetësuar për shkak të retorikës nxitëse të disa aktorëve politikë, e cila i rrezikon marrëdhëniet ndëretnike. Formimi i shpejtë i qeverisë së re nuk do të jetë i mjaftueshëm vetë prej vetes”, tha Mimica dhe shtoi se do të insistojnë në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinos dhe reforma në sundimin e së drejtës.
Ai shprehi shqetësim për sulmet ndaj sektorit civil nga ana e institucioneve shtetërore, si dhe mbështetje për vazhdimin e mandatit të PSP-së.
Raportuesi Ivo Vajgëll tha se Kuvendi nuk mund të punojë dhe të formohet qeveri e re për shkak të obstruksioneve sistemore dhe sjelljes së shefit të shtetit.
“Maqedonia ballafaqohet me sfida të mëdha në rrugën drejtë BE-së. Megjithatë, personalisht presim të vijë fundi i krizës, se qeveria do të formohet dhe se ripërtërihet funksionimi normal i Parlamentit”, tha Vajgëll duke shtuar se askush nuk duhet të ndjehet pastaj si humbës i projektit kombëtar.
Knut Flenkeshtajn porositi se është keq që tërë vendi të mbahet peng pasi që nuk janë realizuar pritjet e një partie për të qëndruar në pushtet.
“Pjesa më e madhe e vendit mendon se demokracia funksionon vetëm nëse fitojnë”, nënvizoi ai, duke shtuar se këtë e mendon edhe shumica e atyre që gjatë këtyre ditëve dalin në rrugë.
Erduan Kukan i Partisë popullore evropiane dhe raportues nën hije për Maqedoninë dëshiroi që përfundimisht ta shohë dritën në tunel pas disa viteve krizë në vend. Ai i bëri thirrje presidentit Ivanov ta respektojë vullnetin e shumicës dhe ta japë mandatin për formimin e Qeverisë, ndërsa Parlamenti të fillojë të punojë sipas procedurës normale.
Tonino Picula nga grupi i socialistëve vlerësoi se vendi është sjellë në situatë pa precedent, ndërsa Parlamenti është aq i bllokuar sa që nuk mund të sjellë as vendim për shpalljen e zgjedhjeve lokale. Sipas tij, zgjedhjet nuk kanë dhënë fituesin absolut por relativ i cili, nuk ka arritur të formojë qeveri.
Eurodeputetët grekë të cilët morën pjesë në debat përsëri me qëndrime se Maqedonia e ka përvetësuar emrin, se vendi është para shkatërrimit.
Në fund të debatit eurokomisari, Neven Mimica porositi se Qeveria në Maqedoni duhet të formohet, por se ky proces është në duart e presidentit dhe të liderëve politik lokal.
“Vetëm ata mund ta nxjerrin Maqedoninë në rrugën e eurointegrimeve”, theksoi Mimica në mbylljen e debatit. Paralajmëroi se bashkëpunimi i mirë rreth emigrantëve nuk do të thotë se BE-ja do t’i mbyll sytë para prishjes së demokracisë në Maqedoni.
Votimi i rezolutës së përpunuar nga Ivo Vajgëll dhe i cili e mori mbështetjen e eurodeputetëve, Këshillit dhe Komisionit të BE-së në debatin njëorësh, është paraparë të votohet në sesionin e parë të Parlamentit Evropian në maj.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...