Google ADS

Pacolli: Programi i AKR-së është 100 përqind ekonomik

21:46 | 5 Prill 2017
Arbresh.info

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli u ka ofruar mbështetjen e tij bizneseve të Kamenicës. Në një darkë që ka pasur sonte me përfaqësuesit e bizneseve të Kamenicës, i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se krijimi i mundësive më të mirë për veprimtarinë e secilit biznes, për një jetë më të mirë për rininë, për prodhimtarinë si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, do të jetë primare për programin e AKR-së.

Ai tha se kauza e AKR-së është një kauzë që ta ndryshojë Kosovën, është kauzë që t’i hap perspektivë rinis së Kosovës.

Pacolli: Ta ndryshojmë Kosovën

“Sot rrugëtojmë me shumë njerëz, rrugëtojmë kryelartë, duke ditur se kauza është e drejtë dhe kauza është ta ndryshojmë Kosovën, kauza është rinisë t’i hapim perspektivën që ajo e meriton”, tha ai dhe shtoi se AKR-ja është e vetmja parti që ka një program 100 përqind ekonomik.

Pacolli: AKR ka program ekonomik

“AkR-ja është e vetmja parti sot që ka një program qind për qind ekonomik. Një program absolutisht i implementuar, një program shumë të kjartë, një program i cili nuk kërkon administratë kolosale, siç është sot, një program që implementohet me 30 përqind të administratës, që sot është e angazhuar në këtë makineri të pushtetit të Kosovës. Një program me administratë shumë të reduktuar, mirëpo një program me administratë shumë kualitative. Dhe më tutje ne jemi shumë të kjartë, për të artikuluar me reformat tona. Reformat tona ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e mundësive edhe për punësim, edhe për luftë drejt për së drejti me varfërinë, për ngritjen e eksportit, për uljen e importit dhe ajo që është me rëndësi, që Kosovën ta kthejmë në një vend ku punohet, ta kthejmë në një vend ku ka perspektivë, ta kthejmë në një vend të dashur për qytetarët e vet, sidomos për rininë”, tha ai, raporton KosovaPress.

Ndërsa, nënkryetari i degës së AKR-së në Kamenicë, Fatmir Krasniqi tha se është krenarë që është pjesë e AKR-së dhe që përfaqëson shtresën më të denjë të shoqërisë, që me mundin e vetë e mbajnë familjen.

Krasniqi: Vota ime nuk ka shkuar në Kuvendin

“Jam i lumtur që vota ime nuk ka shkuar në Kuvendin, që jemi dëshmitarë që tri vite, ai Kuvend që është Kuvend i turpit, që kemi pa edhe lotsjellës edhe të gjitha të këqijat, edhe që se kemi mbërri pragun, mendoj që ka qenë më mirë që se kemi mbërri sesa me pas hy. Tri vite flitet për demarkacionin. Ata nuk kanë zgjidhje për me zhvillua ekonominë, ata e kanë problem me rehatuar vetën”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se ndjehet krenarë që pranë vetës kanë një njeri siç është Behgjet Pacolli, i cili sipas tij gjithçka ka arritur falë punës së tij.

Kurse, njohësi i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi tha se heronjtë e pasluftës janë njerëzit e biznesit, të cilët punojnë për ta zhvilluar vendin pavarësisht barrierave dhe sfidave që hasin.

Rexhepi: Heronjtë e pasluftës janë njerëzit e biznesit

“Nëse flasim për heronjtë e pas luftës, ata janë njerëzit e biznesit. Posaçërisht ata njerëz që me shumë përpjekje, me guxim, duke u përballur me sfida, me barriera, me pengesa, nuk kanë hjekur dorë prej qëllimeve që të investojnë, të ngritin ekonominë dhe të kontribuojnë për mirëqenien e përgjithshme. Prandaj, ju jeni ata njerëz të cilët realisht e mbani gjallë këtë vend”, tha ai.

Kurse, Xhevdet Isufi, biznesmen dhe donator i shumë projekteve në Kamenicë, tha se është donatori kryesor i Kamenicës, por që asnjëherë nuk është përkrahur nga Komuna e Kamenicës.

Isufi: Asnjëherë komuna nuk më përkrahi

“Që 30 vite jetoj në Zvicër, që 7 muaj jam kthyer me jetuar në vendlindjen e dashur, kam filluar me biznesin tim, ta zbukuroj Kosovën, ta bëj ashtu siç duhet, të jetë e jo siç është. Dua ta përshëndes z. Pacolli për ato fjalë aq me vend. Njëherit dua të them disa gjëra që janë duke ndodhur, që janë duke ndodhur e populli nuk e di fare se çfarë po ndodh në vendin tonë. Disa e dinë, e disa s’e dinë, por unë jam donatori kryesorë në Kamenicë, që asnjëherë komuna nuk më përkrahi, nuk më falënderojë, mesë 10 projekte i kamë bërë vetanake, as nuk shkruan kush, as nuk fol kush, vetëm pengohem. Unë jam aq i vendosur që t’i hapi luftë të keqes, njëherë e përgjithmonë, të fillojmë të punojmë për vendin tonë”, tha ai.

Gjatë ditës, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli u takua edhe me nxënësin e talentuar nga Kamenica, Gëzim Morina, i cili merret me krijime nga energjetika dhe robotika, të cilit i premtoi mbështetje, për te cilin tha meriton të mbështetet në të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme