“Kriza aktuale në Maqedoni mund të thellohet në krizë të pushtetit lokal”

00:46 | 5 Prill 2017
Trina Galanxhi

Kandidati i parë shqiptar pretendent për postin e kryetarit të parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, vlerësoi që kriza aktuale politike në Maqedoni mund të thellohet përderisa ai tha që VMRO do të vazhdoj të zvarris procesin e konstituimin të qeverisë.

Xhaferi ka shtuar që kundërshtimi ideologjik brenda maqedonasve ka tendencë të kaloj në fushën ndëretnike, dhe se duhet të tregohen mjaft të kujdesshëm.

“BDI ka nominuar emrin tim për kandidat për kryetar të parlamentit, por për shkak të konflikteve politike dhe krizës politike po shtyhet seanca konstituive. E për shkak te krizës qeveritare në hyjmë edhe në një krizë tjetër të mosfunksionimit të pushtetit lokal. Por VMRO-DPMNE siç duket nuk është e gatshme që të bëj transfer të qetë të pushtetit, mirëpo po shfrytëzon çdo mundësi procedurale dhe politike të mos e lëshoj pushtetin” ka thënë Talat Xhaferi në një intervistë në Ballë Për Ballë të Klan Kosovës.

Sa i përket reagimeve të fundit të VMRO-së, që marrëveshja e nënshkruar nga partitë politike shqiptare përbën pengesë në krijimin e qeverisë, Xhaferi ka thënë që ky është arsyetimi i radhës i Ivanov, që ka për qëllim zvarritjen e procesit.

“Çështja e marrëveshjes së partive politike shqiptare kishte ndodhur dy ditë para se të skadojë afati për dhënien e mandatit. PDSH dhe Besa nuk morën pjese me arsyetimin që nuk pranojnë të ulen me Ali Ahmetin, dhe ata propozuan që ideator të jetë Edi Rama, e në fund ranë dakord që të ulen në prezencë të Ramës që ai të ishte garantues i kësaj marrëveshje. E këtë gjë Ivanov e shfrytëzoi gjoja se kjo ishte ndërhyrje e Shqiperisë në punë të brendshme të Maqedonisë. Kjo është një ndër gjërat që ata po përdorin për të zgjatur procesin e dhënies së pushtetit” ka thënë Talat Xhaferi.

Në fund Xhaferi ka paralajmëruar një verë të “nxehtë” në aspektin politik, në çoftë se qershori e gjen Maqedoninë pa institucione funksionale, duke theksuar mundësinë e një vale të re refugjatësh në qoftë se dështon marrëveshja në mes të Turqisë dhe BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme