Ministria e Drejtësisë reagon për vdekjen e Naser Makollit, ja çfarë thotë

15:33 | 4 Prill 2017
Arbresh.info

Ministrisë së Drejtësisë, përgjegjëse për Burgjet e Kosovës, i janë dashur 24 orë që të lëshojë një njoftim lidhur me vdekjen e të paraburgosurit Naser Makolli.

Megjithatë, edhe në këtë njoftim, ministria e drejtuar nga Dhurata Hoxha, nuk jep asnjë detaj që do të mund të qartësonte sado pak se si është e mundur që të vdes një i ri, i burgosur pa u trajtuar asnjëherë të vetme në Qendrën Klinike Universitare, por vëtëm nëpër shtëpi shëndeti.

Në këtë njoftim, MD thotë se dje, nga Policia e Kosovës janë njoftuar se nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan në QKMF në Lipjan është sjellë pa shenja jete personi N.M.

“Prokurori kujdestar nga kjo prokurori, posa ka pranuar këtë informacion ka dalë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të tij rasti është hapur si “Vdekje e dyshimtë”, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.

Kjo ministri tutje thotë se sot ka përfunduar autopisa për Makollin, dhe pritet që të dilet me raport përfundimtar për shkaqet e vdekjes.

“Sot, 4 prill 2017, prokurori kujdestar së bashku me një prokuror tjetër nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë marrë pjesë në kryerjen e autopsisë së N.M., në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku të ndjerit N.M. i janë marrë të gjitha mostrat, si të gjakut, urinës, mostrat për analiza toksikologjike, të cilat me urgjencë janë dërguar për ekzaminim në laborator”.

“Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit – lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marr në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së të ndjerit N.M”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme