Paraqiten të gjeturat në raportet e auditimit për MPB-në

14:01 | 4 Prill 2017
Arbresh.info

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të martën ka paraqitur të gjeturat në raportet e auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, në një tryezë pune të organizuar nga Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai tha se kontrata mbi vepër, pozitat me ushtrues detyre, investimet kapitale të dobëta, kontratat për mirëmbajtjen e automjeteve të policisë, ishin disa nga të gjeturat që auditori ka konstatuar parregullsi në raportet për vitet 2013 deri 2015, ndërsa Zyra e auditimit nuk ka qenë plotësisht e kënaqur sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve.

“Investimet kapitale në vitin 2013 dhe 2014 kanë qenë pak më dobët, por në vitin 2015 vërehet një menaxhim i buxhetit sipas kategorive ekonomike. Të hyrat ne kemi pas raportuar në vitin 2013 dhe 2014 që ministria ka pas problem me Departamentin e regjistrimit të automjetit dhe vlerat e prezantuara në sistem që mbledhin nga regjistrimi i automjeteve. Ky përmirësim ka ndodhur në vitin 2015-të dhe të hyrat janë menaxhuar në pajtueshmëri me legjislacionin tani të raportohen në mënyrë të drejtë. Ndërsa sa i përket prokurimit kryesisht mbështet në kornizë ligjore, ndoshta rreziku më i madh ekziston te Policia e Kosovës në mënyrë të veçantë me mirëmbajtjen e automjeteve, sepse ata kanë rreth 19 kontrata aktive për mirëmbajtjen e tyre dhe në raste të caktuara janë detyruar që të bëjnë kontrata shtesë në vlerë diku rreth 35 mijë euro, të cilat mund të kenë qenë të nevojshme të themi nga perspektiva menaxheriale, po nga perspektiva e auditimit ne i kemi tërheq vërejtjen se kjo mund të ketë një rrezik në vete. Ndërsa te kategoria e mallrave dhe shërbimeve shqetësuese për neve mbetet kontrata në vepër edhe pse trendi është në rënie, numri prej 36 të punësuarve në vitin 2013 ka shkuar në 46 në vitin 2014, edhe ka rënë në 5 kontrata në vitin 2015 që është një sinjal i mirë, por duhet të shohim nëse ky numër ka lëviz në vitin 2016-të”, tha Osmani.

Valdet Hoxha, zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, tha se pas analizimit të raportit me gjithsej 17 rekomandime, kanë vlerësuar rekomandimet të cilat janë dalë nga auditori i përgjithshme për MPB.

“Nga gjitha këto rekomandime më të rëndësishmet janë të gjeturat rreth punëve kontratave mbi vepër të punonjësve MPB-së, të cilët ne i kemi adresuar dhe nga shifra prej disa dhjetarëve tani kemi arrit në kohën e fundit i kemi vetëm 3 punonjës me kontratë mbi vepër. Natyrisht, objektivi ynë edhe qëllimi ynë është që të shkojmë në zero. Pastaj edhe tek ushtruesit e detyrës e kemi zbritur numrin dhe aktualisht janë rreth 20 punonjës me ushtrues të detyrës”, tha Hoxha.

Granit Fetahu, drejtor i Departamentit për shërbime mbështetëse të Policisë së Kosovës, ka shpjeguar arsyen pse policia ka dhënë arsyeshmërinë e kontratave për mirëmbajtje të automjeteve.

“Sa i përket raportit të auditimit të vitit 2015-të të gjeturat të cilat u përmenden edhe më herët. Çështja e koutimeve të çmimeve kjo ka ndodh për arsye se policia e Kosovë s’ka një llojshmëri të madhe të madhe të automjeteve. Gjithashtu, koutimi si një procedurë ligjore lejohet me ligjin e prokurimit nga Policia e Kosovës shfrytëzohet vetëm në ato raste kur nuk ka mundësi tjetër ose kur është një zgjidhje më e mirë se zgjidhjet tjera. Për çka kemi pas shumë është si shembull konkret, kemi një automjet ose dy të një lloje edhe nëse shkohet në procedurë të hapur kornizë, atëherë ne nuk mundemi me paraparë se çfarë dëmtimi ose çfarë prishje do të ketë ai automjet. Duke pasur parasysh sasinë që parashihet me ligj plus minus 30 për qind, atëherë ne mund të vijmë në një situatë ku duhet me i ble pjesë të cilat ndoshta kurrë nuk na hynë në punë. Për këtë arsye, në raste kur këto automjete që i kem i në numër shumë të vogël prishen dhe hamgjitmi në riparim është i vogël nën vlerën 10 mijë euro, atëherë normalisht që e kemi parë si zgjidhje të mirë dhe më ekonomike dhe kemi qenë të obliguar me i shfrytëzuar koutimet e çmimeve”, tha Fetahu.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Daut Haradinaj, ka ngritur çështjen e bartjes së projekteve prej vitit në vit e që sipas tij nuk po realizohen.

“Megjithatë, mua çka më thotë në këto të gjeturat, të cilat ne i kemi parë janë bartje e projekteve prej vitit në vit. 8 milion e 784 mijë e 370 euro. Vazhdim, vazhdim, vazhdim, me vite që donë po t’i lexoj një për një. Për shembull e ki tek operacionet pajisjet trafiku, 120 mijë euro të bartura 2016 , 2017-të tek operacionet speciale. Kodi i projektit 3 mijë 25 armë dhe pajisje special për DNN. 435 mijë e 500 bartje zero euro të reja kodi i projektit 12205 autoblinda topa, ujë , limuzina të blinduara dhe automjete të tjera taktike. Veç merren ndërtimin e objektit në Obiliq për azil kërkuesit prej vitit 2013 të ndahen paret kurrë nuk është ndërtuar. Merreni si rast edhe trajtojeni, sepse është edhe në raport të progresit”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në këtë tryezë kishte pjesëmarrës nga GIZ –i gjerman, OSBE-ja dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme