Google ADS

Protesta kundër Vuçiqit në Beograd e Novi Sad, e krahasojnë me Millosheviqin

10:01 | 4 Prill 2017
Arbresh.info

 Fitorja e Aleksandar Vuçiqit, përveç festës, ka shkaktuar edhe pakënaqësi në Beograd. Shumë të rinj në kryeqytetin serb, por edhe në Novi Sad, kanë dalë në rrugë mbrëmjen e djeshme për të protestuar kundër asaj që e quajnë diktaturë e Vuçiqit.

Për shumë serbë, fitorja e Aleksandar Vuçiqit duket e pabesueshme. Politikat e tij nuk i kanë pëlqyer të rinjve që i takojnë Serbisë qytetare dhe pas ftesave në internet, qindra qytetarë u mblodhën për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë për fitoren e tij. Një pjesë e tyre thonë se rezultati nuk është i drejtë, por as fushata.

“Kjo është një lloj gjysmë diktature e shekullit të 21-të dhe thonë se është gjysmë demokracie, por nëse gjysmë demokracie ekziston atëherë ka edhe gjysmë diktature”, thotë një nga protestuesit, shkruan tch.

“E kemi parë Sllobodan Millosheviqin dhe kjo është njësoj, ndaj duket si fillimi i një diktature klasike. Vetëm Vuçiqi ishte në televizor gjatë fushatës”, u shpreh një tjetër protestues.

Madje, mediat në Serbi raportojnë se demonstruesit, e mbledhur para ndërtesës së Kuvendit, kanë qenë të dehur dhe kanë shkatërruar murin me fotografi të të zhdukurve nga lufta në Kosovë.

Presidenti i ri serb, Aleksandar Vuçiq, ka fituar zyrtarisht 55% të votave dhe kjo e bën atë fituesin më të thellë dhe fituesin e parë në raundin e parë, që prej 20 vitesh. Opozita serbe ishte e dobët dhe ai pritet të marr postin në 31 maj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme