Mustafa: Qeveria e përkushtuar për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

13:50 | 2 Prill 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar të dielën Aeroportin e Gjakovës, me ç’rast ka theksuar përkushtimin e qeverisë që ai drejton që në muajt e ardhshëm të punohet fuqishëm në funksionalizimin e këtij aeroporti.

Pas takimit me drejtuesit dhe vizitës së aseteve e pajisjeve ekzistuese, kryeministri Mustafa, ka bërë të ditur se shumë shpejt, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, të Transportit, të Financave dhe të FSK-së, do të vizitojnë këtë Aeroport dhe do të shqyrtojnë mundësitë se si të veprohet më tutje.

Për më tepër, kryeministri Mustafa tha se ky është një aset tepër i rëndësishëm i Kosovës, i cili aktualisht ka një vlerë mbi 10 milionë euro të pajisjeve dhe ndërtesave.

“Do të zgjidhet edhe çështja e pronave, por para së gjithash çështja e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të këtij aeroporti. Aeroporti është në vend të mrekullueshëm dhe shumë të përshtatshëm. Është një aset për të cilin ka nevojë Kosova që të shfrytëzohet ose për udhëtarë, për mallra, ose si shkollë e pilotimit ose për FSK-në apo Ushtrinë e ardhshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se në muajt e ardhshëm do të punojnë për funksionalizimin e këtij aeroporti, ndërsa janë dakorduar që të bëhet edhe një studim i fizibilitetit nga i cili do të del rezultati konkret se si është mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtij aeroporti.

Nga ana e saj, kryeshefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, e ka njoftuar për aktivitetet dhe për të gjithë punën që është kryer në Aeroportin e Gjakovës.

“Mirëpo, njëherësh i ndamë edhe të gjitha sfidat dhe problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit. Shpresojmë se do të përfitojmë të dy anët nga ky takim. Aeroporti i Gjakovës është aset nacional, është aset shtetëror dhe jemi drejt funksionalizimit të këtij Aeroporti”, tha Gojani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme