Kumanovë, qytetarët apelojnë për qetësi

15:40 | 1 Prill 2017
M. A.

Qytetarët kanë dënuar aktin e djeshëm të heqjes së flamurit maqedonas dhe në vend të tij ngritjen e flamurit shqiptar në Kumanovë. Një pjesë e tyre madje ka hedhur dyshime se bëhet fjalë për ngjarje të inskenuar nga partitë politikë. Qytetarët e anketuar nga Alsat-M porositën bashkëqytetarët e tyre që të shmangin veprimet që mund të cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Po këtu fajtor janë Gruevski dhe Ahmeti, ata e kanë bërë këtë punë, djali nuk ka faj ata janë të rinj, nuk ka koment këtu fajtor janë Gruevski dhe Ahmeti, njëherë në Lagjen e Trimave tani kjo me ndërrimin e flamurit”.

“Duhet të shmangen incidentet, sepse nuk kemi kohë për incidente, duhet të përqendrohemi për në Bashkimin Evropian dhe të ecim përpara”.

Eksperti për çështje sigurie Vlladimir Pivovarov gjithashtu ka shprehur bindjen se ngjarja e djeshme në Kumanovë është e motivuar nga politika. Ai porositi se kriza politike nuk duhet të shndërrohet në ndëretnike edhe pse sipas tij qytetarët tashmë janë të ndërgjegjshëm dhe nuk manipulohen lehtë.

Policia e Kumanovës ka iniciuar padi penale ndaj dy të rinjve nga fshati Sllupçan i Likovës të cilët një ditë më parë në qendër të Kumanovës nga shtiza zbritën flamurin maqedonas ndërsa ngritën atë shqiptar. Të rinjtë akuzohen për veprat nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe pengesë ndaj personit zyrtar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme