Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza në një intervistë për Arbresh.info e pranon se rritja ekonomike e Kosovës e cila këtë vit parashihet të jetë 3 për qind është e pamjaftueshme për të pasur zhvillim ekonomik. Në këtë intervistë, Hamza flet edhe për kamatat e kredive dhe të depozitave duke shpjeguar se përse janë ulur ato në të dyja rastet.
Arbresh: Si qëndron aktualisht gjendja financiare në vend?
Hamza: Sistemi financiar i Kosovës vazhdon të karakterizohet me shkallë të lartë të stabilitetit dhe rritje të aktivitetit në të gjitha komponentet përbërëse të tij. Sektori bankar, që përfaqëson sektorin kryesor në kuadër të sistemit financiar të vendit, në periudhën e fundit ka përshpejtuar trendin e rritjes së kreditimit duke rritur kështu mbështetjen për rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Gjithsej kreditë e sektorit bankar në prill 2015 shënuan vlerën prej 1.94 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 5.3% krahasuar me rritjen vjetore prej 2.1% të regjistruar një vit më parë. Sektori bankar vazhdon të ketë shkallë të lartë të qëndrueshmërisë, të shprehur me nivel të lartë të kapitalizimit, cilësi të mirë të portofolit kreditor dhe pozitë të kënaqshme të likuiditetit.
Zhvillime të favorshme vazhdojnë të karakterizojnë edhe komponentët tjerë të sistemit financiar, përfshirë fondet pensionale, kompanitë e sigurimit dhe institutionet tjera financiare të cilat po zgjerojnë aktivitetin dhe po përmirësojnë performancën e tyre financiare.
Arbresh: Ekspertët thonë se rritja ekonomike e paraparë për këtë vit prej 4% është e pamjaftueshme. Sipas tyre kjo rritje do të duhej të shkonte deri në 7%. Si mund të arrihet kjo dhe a ka gjasa reale që të arrihet kjo përqindje?
Hamza: Ekonomia e Kosovës në vitet e fundit, duke përfshirë edhe periudhën e krizës globale, ka mirëmbajtur një normë mesatare të rritjes prej mbi 3%. Kjo normë e rritjes, megjithëse jo e mjaftueshme për të nxitur një zhvillim më të hovshëm ekonomik, i ka mundësuar vendit ruajtjen e stabilitetit makroekonomik gjatë këtyre viteve të vështira për ekonominë globale. Natyrisht se ekonomia jonë ka nevojë për rritje më të lartë, mirëpo arritja e saj paraqet një proces mjaft kompleks, i cili ka të bëjë me faktorë të brendshëm, por që në masë mjaft të madhe varet edhe nga faktorët e jashtëm ekonomik. Në këtë kontekst, përveç faktit se kërkohet një mobilizim dhe alokim më efikas i kapitalit vendor si dhe përmirësim i mëtejmë i ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes, nevojitet edhe një ambient më i favorshëm ekonomik në sektorin e jashtëm në mënyrë që të kemi mundësi më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit financiar, në vazhdimësi po i kontribuon alokimit sa më efikas të kapitalit në ekonominë tonë, duke i kontribuar kështu rritjes ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik në vend.
Arbresh: Gjatë debateve për gjendjen e bizneseve në Kosovë, thuhet se një nga problemet kryesore që i pengon ato të zhvillohen janë normat e larta të interesit të kredive. Kamatat në Kosovë janë më të lartat në rajon. Si e vlerësoni këtë çështje?
Hamza: Normat e interesit në kredi në periudhën e fundit kanë shënuar rënie substanciale. Në muajin prill 2015, norma mesatare e interesit në kredi ishte 8.3%, që paraqet nivel të përafërt me koston e financimit bankar në vendet tjera të rajonit. Zvogëlimi i normës së interesit në kredi, shoqëruar me përshpejtimin e kreditimit nga ana e sektorit bankar, sidomos për bizneset, paraqesin zhvillime shumë të favorshme për aktivitetin afarist në vend.
Arbresh: Në anën tjetër, nga të dhënat e BQK-së shihet se ka rënie të normave të interesit në depozita. Përse ndodh kjo?
Hamza: Rënia e normës së interesit në depozita ka ndodhur kryesisht gjatë vitit të kaluar dhe reflekton shkallën e lartë të likuiditetit të bankave si dhe ofertën e mjaftueshme të depozitave.
Arbresh: Viteve të fundit ka pasur hyrje të reja në tregun bankar. A pritet që në mesin e tyre të vijë edhe ndonjë bankë e re dhe sa është e interesuar BQK-ja për liberalizimin e tregut bankar?
Hamza: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që nga fillimi i funksionimit të saj është mbështetur në parimet e ekonomisë së tregut dhe, në këtë kuadër, ka zbatuar një politikë liberale të liçencimit. Sidoqoftë, për shkak të specifikave që ka sektori financiar, politika e liçencimit kërkon të merren për bazë edhe kriteret e shëndetshmërisë së institucioneve financiare në mënyrë që t’i mundësohet hyrja në treg vetëm atyre institucioneve që sigurojnë ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimin e mëtejmë të sistemit financiar. Në këtë kontekst, BQK-ja në vazhdimësi ka aplikur një politikë liberale dhe të shëndoshë të liçencimit, duke mundësuar kështu zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar. Nëse flasim veçanërisht për bankat, dëshiroj të potencoj se së fundi kemi liçencuar edhe një degë të huaj bankare, me ç’rast numri i përgjithshëm i institucioneve bankare të liçencuara për të operuar në Kosovë ka arritur në dhjetë.
Arbresh: Si po shkojnë punët për anëtarësimin e BQK-së në Bankën Qendrore Evropiane, kur pritet të ndodh kjo?
Hamza: Republika e Kosovës po angazhohet intenzivisht në plotësimin e kritereve për të avancuar në rrugën drejtë integrimit në Bashkimin Evropian. Procesi i anëtarësimit në Eurozonë dhe, rrjedhimisht, hyrja nën ombrellën e Bankës Qendrore Evropiane, paraqet një proces i cili do të fillojë pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Intervistoi: Flutura Gashi-Mehmeti/arbresh.info.
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...