Partitë politike të shumicës së re parlamentare janë në kërkim të alternativave për të zhbllokuar Kuvendin, i cili po mbahet “peng” nga deputetët e VMRO-DPMNE-së me replikat dhe kundër-replikat pafund.
Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili në emisionin “Rruga Drejt” tha se një ndër opsionet që do t’i jepte fund tej-zgjatjes së seancës konstituive edhe atë për vetëm një pikë të rendit të ditës është zgjatja e orarit të punës së institucionit ligjvënës, në mënyrë që të shteret sa më parë debati monoton dhe i pakuptimtë mes deputetëve të partisë së Nikolla Gruevskit.
“Të punojmë me një tempo më të përshpejtuar, d.m.th. të punojmë edhe ditën e premte, se zakonisht deputetët e kanë të lirë ditën e premte për takim me qytetarët. Pastaj të vazhdojmë me vikendet dhe të zgjatet koha nga ora 11 dhe të vazhdohet deri në orët e vona të mbrëmjes, që më shpejtë të shteret debati, sepse po e përsëris edhe një herë, për gjithçka debatohet por jo edhe për pikën e rendit të ditës për të cilën janë të obliguar deputetët të bisedojnë”, deklaroi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.
Ndërkohë deputeti i LSDM-së Petre Shilegov është i bindur se sjellja e VMRO-së në Kuvend do të marrë fund shumë shpejtë, pasi shpreson se presidenti Gjorge Ivanov do ta tërheq vendimin për mos-dhënien e mandatit duke i hapur rrugën formimit të Qeverisë së re.
“Do të përfundojë ky proces. Unë besoj se së fundi edhe Gjorge Ivanov do të mendojë, por Gjorge Ivanov do të mendojë, jo të veprojë atë që do t’i thuhet të bëjë dhe do ta ndryshojë vendimin, që deri tani tha se është i pandryshueshëm; veçanërisht që këto katër ditë debate, në tërësi u zbërthye teoria e VMRO DPMNE-së për disa platforma, disa kërcënime ose kushte të LSDM-së për formim të qeverisë”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së.
Nga ana tjetër për Lëvizjen Besa edhe sikur të zhbllokohet Kuvendi, Maqedonia nuk do të dalë nga kriza e thellë nëse në funksionet kyçe të qeverisë së re do të jenë anëtarë të BDI-së.
“Jemi të interesuar që të krijohet një qeveri reformatore, ashtu siç dëshiron edhe LSDM-ja dhe të gjitha ata forca të cilat janë të interesuara për ndryshime reale dhe funksionale në Republikën e Maqedonisë. Nëse ne e dëshirojmë këtë, ne si do t’i nisim të gjitha këto reforma nëse në start një pozicion shumë të rëndësishëm të shtetit do t’ia japim një partie e cila mban përgjegjësi të thellë për situatën në të cilën ndodhemi”, u shpreh Fadil Zendeli, Rilindje me Besë.
LSDM, BDI dhe Besa në debatin e mbrëmshëm u shprehën kategorikisht kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, që është kërkesë kryesore e VMRO-DPMNE-së. Sipas këtyre partive zgjedhjet e reja vetëm do ta thellonin krizën politike.
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...