Zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiq deklaroi të premten se qeveria serbe nuk do të dorëzojë tre radikalët e akuzuar nga Tribunali i Hagës për mos respektim të gjykatës.
Interpoli me kërkesë të Tribunalit të Hagës ka ngritur “fletarrestin e kuq” për tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe, të cilët Tribunali i akuzon për mos respektim të gjykatës dhe të cilët nuk janë arrestuar nga autoritetet serbe.
“Duhet të respektojmë vendimin e Gjykatës së Lartë, pavarësisht nëse na pëlqen neve ose jo”, tha Lajiq.
Ndryshe, Tribunali kërkon arrestimin e Petar Jojiq, Vjerica Radeta dhe Steva Ostojiq. Të tre ata akuzohen se kanë ndikuar në dëshmitarët në procesin kundër liderit të tyre partiak Vojislav Sheshel, në mënyrë që ata të ndryshojnë dëshmitë ose të mos dëshmojnë.
Urdhrin për arrestimin e tyre, Tribunali ua kishte dorëzuar autoriteteve serbe në janar të vitit 2015, por ai nuk ishte zbatuar.
Duke vlerësuar se Beogradi disa herë ka refuzuar të arrestojë tre radikalët serbë dhe t’i dorëzojë në Hagë, Tribunali më 5 tetor 2016 lëshoi urdhrin ndërkombëtar për arrestimin e Jojiq, Radeta dhe Ostojiq.
Gjykata e Lartë në Beograd vitin e kaluar vendosi se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe dorëzimin e tre radikalëve serbë, pasi ligji nacional për bashkëpunim me Hagën parasheh detyrime vetëm në rastet kur bëhet fjalë për persona të akuzuar për krime lufte, dhe jo edhe për mos respektim të gjykatës.
Kryeshefi i IPK-së po merr pjesë në Konferencën Profesionale...
Victoria Beckham zbulon arsyen pse nuk buzëqesh kurrë në fot...
Rusia sulmon me një numër rekord dronësh 17 rajone të Ukrain...
“Ishalla nuk shymesh tash ti”, i thotë Xheneta-Drilonit
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...