VMRO dhe Besa në bisedime bashkëpunuese për kryeparlamentar

10:34 | 31 Mars 2017
Arbresh.info

Anëtarë të VMRO-DPMNE thanë për Zhurnal.mk se kjo parti ka gjasa që t’i jap përkrahje Lëvizjes Besa për të garuar për postin e krye-parlamentarit, por anëtarë të BDI thanë se kjo është vetëm një tentativë e kot sepse tashmë shumica parlamentare i ka siguruar votat e nevojshme për të mposhtur kundërkandidatët e tjerë.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski,tha për Zhurnal.mk se së pari duhet vlerësuar kërkesat programore të lëvizjes së Bilall Kasamit, e pastaj do ta shqyrtonte mundësinë e përkrahjes së Lëvizjes Besa e cila po e synon postin më të lartë të parlamentit.

“Njëherë ta shohim platformën e Besë, pastaj do shohim kombinatorikat tjera për krye-parlamentar”, ka theksuar për Zhurnal.mk Kotevski.

Mirëpo deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi thotë se këto apetite dhe skenare të VMRO-DPMNE por edhe të Lëvizjes Besa, janë të kota.

“BDI, Aleanca për shqiptaret dhe LSDM e kanë nominuar z.Talat Xhaferin me 62 nënshkrime të deputetëve për kryetar të Parlamentit. Ky është edhe një fakt që rishtas dëshmon shumicën e re parlamentare. Gjithçka tjetër është propagandë dhe marketing për efekte momentale,” tha Ademi për Zhurnal.mk.

“Lëvizja Besa ka të drejtë të propozojë edhe në Komisionin për emerime dhe zgjedhje edhe në seance, por për këtë do i duhet përkrahja e VMRO-DPMNE-së, sepse Rregullorja e parlamentit është e qartë: një deputet mund të mbështes vetëm një kandidaturë. Pra 62 deputet kanë zyrtarizuar kandidaturën e Talat Xhaferit. Në KZE kandidatura e BESËS mund të kalojë vetëm me votat e 6 anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, por edhe kjo nuk ka kurrfarë efekti (sikur VMRO-DPMNE t’i përkrahë), sepse në seancën do e merr mbështetjen kandidati i cili i ka siguruar 62 vota dhe ky është deputeti Talat Xhaferi, krye-parlamentari i ardhshëm”, ka deklaruar për Zhurnal.mk, deputeti i BDI-së, Ademi.

51 vota të VMRO-DPMNE dhe 5 të Lëvizjes Besa janë të pamjaftueshme për të mposhtur Talat Xhaferin.

Edhe sikur ndonjë marrëveshje eventuale midis këtyre partive do të kishte edhe 2 vota nga PDSH-ja, tashmë llogaria matematikore e votave në parlament është e qartë, por jo krejtësisht edhe arsyet e Lévizjes Besa né kété lloj garimi té humbur qé nga përpara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme