I ngritën kurth duke e joshur për seks

08:10 | 31 Mars 2017
Arbresh.info

Pas arrestimit, të tre të dyshuarit kanë pranuar kurthin e ngritur ndaj të dëmtuarit A.Xh. dhe kanë rrëfyer me detaje edhe rolet e tyre në histori.

Referuar kërkesës për gjykim, i pandehuri Marim L. e pranon faktin se ka qenë ai që i ka kërkuar Oligertës ta marrë në telefon kallëzuesin A.Xh. me telefonin e tij, por thekson se kjo histori është bërë për një shumë prej 5 mijë lekësh, që, sipas tij, A.Xh. ia kishte marrë borxh disa kohë më parë. Ai ndihet i penduar për veprimin e kryer.

E pandehura Oligerta B., e pyetur si e tillë, ka shpjeguar se e pranon faktin ashtu siç është shpjeguar, por thekson se ka hyrë në histori për të ndihmuar Marimin, i cili i kishte thënë se kallëzuesi A.Xh. i kishte marrë lekë borxh, shkruan Panorama.

Pranon faktin se Marimi i ka kërkuar shumën prej 280 eurosh, por e ka dëgjuar këtë fakt nga dhoma tjetër e shtëpisë. Gjithashtu, ajo shpjegon se Marimi e ka kanosur A.Xh. me një thikë, fakt të cilin e ka mësuar nga Marimi, i cili i ka thënë asaj se në momentin që po prisnin A.Xh. të sillte lekët te taksia, ka ardhur një patrullë policie. Ai i kishte thënë se e kishte hedhur thikën që kishte me vete dhe policisë i kanë thënë se po prisnin një person. Ajo ndihet e penduar për veprimet e kryera.

I pandehuri i tretë i dosjes, Edmond S., në fazën e hetimeve ka shpjeguar se bisedën për t’i marrë lekët A.Xh., Oligerta dhe Marimi e kanë bërë fshehtas tij dhe se ai e ka marrë vesh këtë gjë nga Marimi, pasi ata të dy e kishin kryer bisedën.

Ai pranon se ka qenë prezent në momentin kur A.Xh. ka qenë në shtëpinë e tij bashkë me Oligertën, por thekson se ai u ka kërkuar dhe Marimit dhe kallëzuesit të dilnin nga shtëpia. Ai ndihet thellësisht i penduar, por shpjegon se nuk ka pasur dijeni për shumën e lekëve që i është vënë si gjobë kallëzuesit A.Xh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme