Futbollistët e Prishtinës rrezikojnë jetën (VIDEO)

17:03 | 30 Mars 2017
Arbresh.info

Përfaqësuesja e Kosovës është bërë sebep që në vendin tonë të kuptohet rëndësia fushave për stërvitje dhe stadiumeve për të zhvilluar ndeshje.

Në mungesë të tyre, përfaqësuesja kosovare po detyrohet të luajë jashtë shtetit, përkatësisht në Shkodër, dhe kjo ka bërë që institucioneve më të larta shtetërore t’u bëhet me dije se nuk shkon më kështu, pa fusha e pa stadiume.

Për gjendjen katastrofale të infrastrukturës sportive në vend alarm vjen edhe nga FC Prishtina. Klubi më i madh kosovar tash e disa muaj po endet “poshtë e lartë” nëpër Kosovë në kërkim të fushave për të ushtruar dhe për të luajtur, pasi kryeqyteti është në kaos infrastrukturor për futboll.

Bardhekaltrit ndihen të injoruar nga Komuna e Prishtinës, e cila assesi nuk po ua zgjat dorën e ndihmës. Prishtina ankohet se po shpenzon para shumë të mëdha në një kohë krize në të cilën gjendet futbolli kosovar, ndërsa ngecjen në luftën për titull të kampionit e arsyetojnë edhe me mungesën e kushteve elementare për t’u marrë me futboll.

Presidenti Remzi Ejupi kujton se futbollistët e Prishtinës janë të rinj me moshë dhe kryesisht i përdorin veturat e tyre për të udhëtuar nga Prishtina drejt vendeve tjera për stërvitje, sikurse që bëjnë lojtarët në Evropë. Dhe, shpeshherë ata vozisin me shpejtësi të madhe, me çka nënkuptohet se në mungesë të një fushe në Prishtinë po rrezikohet edhe jeta e tyre, shkruan “Zëri”.

“Filluam kampionatin me eufori, sollëm edhe lojtarë edhe nga Kombëtarja Shqiptare, e po ashtu talentë shumë premtues. Por, kemi has në vështirësi të madha, duke u endur vazhdimisht, duke mos e ditur ku do të luajmë apo ku do të stërvitim. U premtua se stadiumi do të kryhet, kurse ne me eufori vazhduam, ndërsa tani po shihet se stadiumi vështirë se do të kryhet para nëntorit apo dhjetorit. Pra, edhe kjo ka ndikuar te rezultatet tona sepse preokupohesh me probleme banale”, ka thënë Ejupi.

“Kemi filluar në Flamurtar, kemi vazhduar në KEK, etj, kurse tani jemi në Podujevë. Pra janë të papërballueshme gjithë këto lëvizje. Pastaj, është shqetësuese sepse lojtarët janë të rinj, nganjëherë vozitin me shpejtësi, për çka ua tërheqka vërejtjen, sepse mund të ndodh diçka e keqe. Prishtina është në situatë shumë të keqe dhe po injorohet nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Prishtina është klubi i vetëm në Kosovë që nuk e ka një vend për të stërvitur as pas 16 viteve. Ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë në gjithë këto vite sesa ta mbajmë klubin dhe ta sjellim deri këtu, kurse Komuna nuk po e bën punën e vet. Premtime ka shumë, jemi në pritje po deri më tani akoma nuk ka asgjë”, ka theksuar ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme