Pandeli Majko bën të fortin me Tom Doshin

15:17 | 29 Mars 2017
Arbresh.info

Pasi inspektori i ILDKPKI, Florian Karaj zbuloi se Tom Doshi është në hetim nga prokuroria për fshehje të pasurisë, deputeti i Shkodrës shpërtheu në akuza dhe sharje. Fillimisht quajti të korruptuar kreun e institucionit, Shkëlqim Ganajn.

“Të gjithë e dinë se kryetarët e komunave kanë paguar nga 2 mijë euro për Shkëlqim Ganajn” u shpreh Tom Doshi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Situata u tensionua edhe nga ndërhyrja e deputetes socialiste Vasilika Hysi që i kërkoi deputetit të dilte jashtë, nëse do të vazhdonte sherrin. Përgjigjia e Tom Doshit ishte e ashpër. “Rri aty Vasilika se atë e di unë. Jeni mashtrusa, që nga i pari te i fundit. Mos më tregojë mu fytyra e ktij, që jam nën hetim. Të jesh më e kujdesshme, kur flet! Kuptove?”

Përgjigjen për Vasilika Hysin e dha Pandeli Majko, pak minuta më pas. Ndërsa fliste në komision, Tom Doshi u shpreh duke thënë “Nuk jam dakort me Majkon”.

Por ky i fundit ka ndërhyrë duke i kërkuar të saktësohet: Për ty jam Zoti Majko!

Mes Edi Ramës dhe Tom Doshit atmosfera është qetësuar, që pas akuzave dhe dyshimeve të deputetit për skenarin e vrasjes së tij. Por sado të afrohen, mes tyre qëndron Ilir Meta dhe nevoja e PS për koalicion me LSI. Në këtë marrëdhënie të komplikuar mes të treve kanë mbetur deputetët e PS, që herë flasin e herë heshtin përballë deputetit të Shkodrës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme