Qeveria e Kosovës nuk e ka përcaktuar ende datën e procedimit në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Koalicioni aktual, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e komuniteteve pakicë, pritet që fillimisht të zhvillojnë një takim konsultativ, para se Qeveria të ndërmarrë hapin e procedimit të demarkacionit në Kuvend.
Gjatë kësaj jave, megjithatë gjasat që marrëveshja të procedohet në Kuvend duken të vogla, ngaqë kryeministri Isa Mustafa ndodhet në një vizitë në Maltë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se kthimi i Listës Serbe në institucione, pas bojkotit prej gjashtë muajve, ka ndikuar në plotësimin e koalicionit, por ende nuk dihet saktë se kur do të procedohet Projektligji për ratifikimin e demarkacionit.
“Tani, ka mbase një kualitet të ri në spektrin tonë politik, e ky është rikthimi i Listës Serbe, përkatësisht përfaqësuesve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ne konsiderojmë që kjo mund të jetë një shtytje shtesë për ta rimenduar nga palët në koalicion dhe për të mos e vonuar pajustifikueshëm as edhe një ditë më tepër, por për ta proceduar në Kuvend”, ka thënë Abdullahu.
Data e saktë e procedimit të Projektligjit në Kuvend do të varet nga marrëveshja e palëve në koalicion, ka theksuar Abdullahu. Sipas tij, shenjat e para janë që Lista Serbe do ta votojë demarkacionin, çka besohet se mund t’i shtojë gjasat për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend, për çka kërkohen 80 vota të deputetëve.
“Fakti se ata kanë thënë se do ta votojnë demarkacionin është një lajm i mirë, të cilit i gëzohemi edhe si Qeveri edhe si institucione përgjithësisht, dhe bëjmë ftesë edhe njëherë të gjithë kuvendarëve që duke i marrë parasysh të gjitha të gjeturat që janë bërë falë një pune profesionale të ekspertëve, ta votojnë demarkacionin”, ka deklaruar Abdullahu.
Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq ka deklaruar se problemi i ratifikimit të demarkacionit ndërlidhet me dy partitë më të mëdha në Kosovë, PDK-në dhe LDK-në.
“Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së kufirit, të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, ne kemi qenë krejtësisht të përjashtuar nga kjo temë, andaj edhe nuk kemi një qëndrim zyrtar. Por, ne do të bisedojmë për këtë çështje si brenda Listës ashtu edhe me partnerët e koalicionit, por është evidente që deri më tani nuk kishte konsensus brenda dy partive të mëdha, PDK-së dhe LDK-së”, ka thënë Simiq.
Paralajmërimet për riprocedimin e demarkacionit në Kuvend, kanë nxitur edhe reagimet e opozitës, e cila nuk e mbështet marrëveshjen aktuale, duke kërkuar që të bëhet një shënjim i ri i vijës kufitare me Malin e Zi. Partitë opozitare, si edhe një numër i deputetëve në pushtet, vlerësojnë se me marrëveshjen aktuale, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se si Demarkacioni ashtu edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë projekte që do të kundërshtohen nga kjo parti politike.
“Sa u përket Demarkacionit dhe Asociacionit, ne mendojmë se ato nuk duhet të vijnë fare në Kuvend. Janë marrëveshje të dëmshme dhe ne do t’i kundërshtojmë me çfarëdo mjetesh që kemi në dorë”, ka theksuar Konjufca.
Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit në gusht në vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje nuk gjeti përkrahjen e opozitës si dhe të një numri të deputetëve të partive në pushtet dhe si e tillë, mbeti e paratifikuar në Kuvend.
Komisioni Evropian, në anën tjetër, i ka vënë Kosovës kusht ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, për liberalizimin e vizave.
Sidoqoftë, mbetet ende diskutabile nëse Qeveria i ka siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...