Google ADS

Kadareja do dënohej si bashkëpunëtor i Mehmetit

11:41 | 28 Mars 2017
Arbresh.info

Ndiqej Kadare nga Sigurimi i Shtetit, apo ishte bashkëpunëtor me të? A e ka glorifikuar figurën e Enver Hoxhës? Përse ekzistojnë aq shumë dokumente me spiunime ndaj Kadaresë?…

Këto çështje e të tjera të ngjashme, që sillen rreth figurës së shkrimtarit të madh, rigjallërohen herë pas here me rastin e daljes së ndonjë libri apo me afrimin e vjeshtës, kur ndahen edhe çmimet “Nobel”.

Për çështjen nëse Kadare ndiqej apo ishte pjesë e Sigurimit të Shtetit, me përgjegjësi tregon një nga ato figura që me shumë gjasë dosjet me emrin “Ismail Kadare” përsipër i ka kaluar vetë nëpër duar. Bëhet fjalë për Qemal Lamen, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-1992.

Ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, Lame pranon se Kadare ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, madje me urdhër të vetë Enver Hoxhës kishte filluar përgatitja e dosjes për arrestimin e Kadaresë.

“Në vitet 1981 dhe 1982, me iniciativën dhe interesimin direkt të Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë është urdhëruar dhe kërkuar nga Sigurimi i Shtetit dhe nga Hetuesia përgatitja e dokumenteve procedurale për arrestimin e Ismail Kadaresë, me akuzat e rënda për veprimtari armiqësore si bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar nga Mehmet Shehu”, thotë Lame. Ndërsa pas largimit të tij në Francë, Ramiz Alia ka kërkuar ndjekjen penale të tij si “tradhtar”.

NGA QEMAL LAME

ISMAIL KADARE NDIQEJ NGA SIGURIMI I SHTETIT

Opinioni publik ballafaqohet shpesh dhe padrejtësisht me kritika, shpifje dhe akuza të ashpra, që bëhen herë pas here nga individë të ndryshëm për personalitete të shquara me rëndësi kombëtare. Në qendër të kësaj fushate denigruese, aspak të denjë për kritikët e njëanshëm, ambiciozë, me botëkuptim të ngushtë njerëzor e profesional, është vënë edhe shkrimtari i madh me njohje të gjerë botërore të veprave të tij, Ismail Kadare. Ismail Kadare është kandidati potencial që pritet me të drejtë të marrë çmimin “Nobel”. Si figura kombëtare që na nderon kudo në botë me veprën e tij, ai meriton mbështetjen jo kritika ambicioze. Ismail Kadare është nderi i kombit shqiptar. Me veprën e tij, ai ka vënë në qendër të vëmendjes vlerat e qytetërimit të lashtë të lënë në harresë, si dhe të kohës moderne. Kritikat e padrejta ndaj tij janë në fakt edhe orvatje të dëshpëruara ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare. Me qëllime të paramenduara, sulmet drejtohen ndaj kontributit të tij në të kaluarën në periudhën e socializmit. E para, pretendohet se ka glorifikuar Enver Hoxhën dhe ka qenë i privilegjuar nga regjimi i asaj kohe. E dyta, se nuk ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, por përkundrazi akuzohet marrëzisht nga dy sharlatanë deri dhe se ka qenë bashkëpunëtor. Kritikat, shpifjet vrasëse të personalitetit dhe kontributit të dhënë, akuzat e qëllimshme denigruese që bëhen nga persona të veçantë, përsëriten e intensifikohen ndaj Ismail Kadaresë, sidomos në momente të caktuara të vlerësimeve të veprës së tij, si dhe në periudhën që përgatiten dhe diskutohen kandidaturat për çmimin “Nobel”. Opinioni publik i kupton qëllimet e kritikave, shpifjeve e akuzave të padrejta. Në media dhe në bisedat e komentet që bëhen në jetën e përditshme reagohet me zhgënjim, duke i kritikuar apo dënuar moralisht këta persona. Shqiptarët kanë konsoliduar prej më shumë se gjysmë shekulli mendimin që Ismail Kadare meriton vlerësimet e nderimet për kontributin në letërsinë e qytetërimin e kombit shqiptar, si dhe të popujve të botës. Shkrimtarin tonë të madh e nderojnë kudo, e lexojnë, nxjerrin mësime dhe edukohen me mendimet dhe idetë që rrezatojnë veprat e tij, motivojnë, gjenerojnë energji mendore, fizike e shpirtërore. Në një reagim të vonuar, por asnjëherë të harruar, Ismail Kadare u jep përgjigje kritikave, shpifjeve e akuzave të qëllimshme e dashakeqe dhe sqaron qëndrimet e tij të së kaluarës. Mendimet e tij të publikuara janë të arsyetuara, objektive, konkrete, me argumente, me përfundime të drejta të bazuara në dokumente që nxisin ide dhe ndriçojnë mendime, largojnë mjegullën gri e çoroditjen që krijojnë shpifjet e akuzat dashakeqëse, qetësojnë të ndershmit, shqetësojnë dhe dënojnë keqbërësit që kanë synuar të dramatizojnë jetën e të tjerëve dhe ndërgjegjen shoqërore.

ISMAIL KADARE KA QENË I DYSHUAR, I PABESUAR DHE I PËRNDJEKUR NGA ENVER HOXHA.

Është e domosdoshme të ritheksojmë dhe të ruajmë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, se Ismail Kadare ka qenë faktikisht personi i pabesuar, i dyshuar dhe i përndjekur nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia.

Të dy këta bashkëjetuan në kohën në të cilën lindi dhe u zhvillua në mënyrë surprizuese e fantastike krijimtaria e Ismail Kadaresë, përfituan sa mundën prej tij. Në vend që ta mbështesnin, fatkeqësisht ata e luftuan sa mundën. Ka qenë një tjetër krim moral prej këtyre dy personave që kanë drejtuar për një kohë të gjatë shtetin, qëndrimi hipokrit me propagandën se “lexojmë dhe adhurojmë Ismail Kadarenë”.

Ky përfundim i drejtë nuk mund të vihet thjesht në dyshim as me të metat që përmenden për të kaluarën e tij, të cilat vihen në dukje nga kritika objektive. Vlerat e shkrimtarit nuk mund të cenohen as nga qëndrimet pozitive nga udhëheqja politike e shtetërore e kohës, kontaktet dhe marrëdhëniet zyrtare e njerëzore, vlerësimet e bëra me meritë, detyrat e besuara si deputet, nënkryetar i Frontit Demokratik Shqiptar.

Me përgjegjësi qytetare e kombëtare, është e domosdoshme të vlerësohet e vërteta, të forcohet bindja dhe të marrë vendin e kërkuar në qëndrimet zyrtare e opinionin publik fakti se Ismail Kadare ka qenë në ndjekje aktive nën presion dhe i rrezikuar direkt për t’u arrestuar nga Sigurimi i Shtetit dhe prokuroria, si dhe dënuar nga gjykata. Ismaili është ndjekur në çdo moment në Shqipëri dhe kudo ku ka shkuar jashtë shtetit, me shërbime apo promovime të veprave të tij.

Për këtë qëllim, ndaj tij janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme të disponueshme agjenturore, teknike e shkencore për ta mbajtur vazhdimisht nën kontroll, nën presion dhe për të grumbulluar prova për ta vënë para përgjegjësisë penale dhe dënuar penalisht. Me bindjen për meritat dhe kurajën për të parë dritën e së vërtetës së mohuar padrejtësisht, kërkohet të reflektohet, të pranohet e të vlerësohet me guxim, edhe e vërteta e provuar dhe e provueshme në çdo kohë, për ndjekjen agjenturore dhe ndjekjen penale ligjore që i është bërë Ismail Kadaresë.

Po të analizohet me aftësi profesionale e ndërgjegje të pastër qytetare, objektivitet e qetësi, pa pasione e emocione, pa interesa të njëanshme politike, pa paragjykime të ndikuara nga kritikat, shpifjet e akuzat e disa personave keqdashës, karrieristëve me mendje të çoroditur, arrihet në përfundimin se shkrimtari ka qenë intelektuali tipik i përndjekur në kohën e shtetit të diktaturës së proletariatit. Opinioni publik po bindet përherë e më shumë për këtë të vërtetë. Ismail Kadare meriton zyrtarisht vlerësimin “disident politik”.

Në këtë përcaktim kërkohet të reflektohet për disa arsye: E para, Ismail Kadare është intelektuali i ndjekur realisht me gjithë mundësitë që ka pasur veprimtaria e fshehtë dhe ajo e hapur e Sigurimit të Shtetit. E dyta, ndaj tij u urdhëruan nga udhëheqja e partisë-shtet që të zbatohen me rreptësi masa e arrestimit, të akuzohej e të dënohej nga gjykata si armik e komplotist. E treta, ndjekja e tij agjenturore është njohur edhe ndërkombëtarisht. Ismail Kadare u mor në mbrojtje zyrtare dhe iu dha statusi i azilit politik nga shteti në Francë, pikërisht për rrezikshmërinë që atij dhe familjes i kanosej nga ndjekja që u bëhej nga autoritete shtetërore në Shqipëri.

E katërta, dekoratat e larta të dhëna në Francë, Spanjë etj. janë argumentuar me motivacionin për kontributin kolosal në letërsi në periudhën e socializmit, kur ai zhvillonte dhe dëshmonte talentin krijues gjenial dhe jehonën përherë e më të madhe të tij brenda vendit dhe në botën e jashtme. Po me këtë motivacion, shkrimtari është nderuar “Qytetar nderi” në disa kryeqytete e qytete në Europë. E pesta, në Kongresin amerikan u ngrit flamuri kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po në nderim dhe vlerësim të veprës letrare të tij me përmasa të jashtëzakonshme dhe me kontribut në qytetërimin e sotëm botëror.

Vlerësimi ndërkombëtar i Ismail Kadaresë nga shtetet e demokracive perëndimore më të zhvilluara të kohës sonë është bërë duke u vlerësuar vështirësitë, rreziqet permanente dhe kushtet politike, ideologjike, kulturore e shoqërore, në të cilat ai ka jetuar, përballuar, përkushtuar në punë dhe ka arritur të zhvillojë me sukses krijimtarinë letrare. Në rast se Ismail Kadare do të kishte glorifikuar Enver Hoxhën, këto shtete të demokracisë së zhvilluar perëndimore nuk do të nderonin një shkrimtar që i ka shërbyer diktaturës komuniste.

Për Shqipërinë dhe gjithë kombin shqiptar, nuk do të ishte më e dobishme që Ismail Kadare të viktimizohej, të vlerësohej e të kujtohej si martir në krahasim me qëndrimin e kujdesshëm për t’u shpëtuar masave të hapëta e të fshehta të ndjekjes, përballimin e vështirësive, përkushtimin në pasionin e tij të letërsisë, kontributin e madh të dhënë me ndërgjegje për artin, kulturën e qytetërimin bashkëkohor të kombit, si dhe në veçanti për letërsinë shqiptare, europiane dhe botërore. Vetë Ismail Kadare thekson me sinqeritet, dinjitet, si dhe me argumente bindëse, se nuk është disident. Ai nuk dëshiron të cilësohet si i tillë. Me ndërgjegje e modesti, Ismaili arsyeton se ka shkruar letërsi edhe atëherë kur ishte vështirë të shkruhej.

Vështirësitë e saj kohe ishin reale dhe me pasoja të rënda, pasi cilido që deklaronte hapur mendimin e lirë akuzohej dhe dënohej me rreptësi për agjitacion e propagandë kundër shtetit, ose vepra penale edhe më të rënda, deri për tradhti ndaj atdheut si komplotist. Ismail Kadare ditën vlerësohej publikisht, ndërsa natën ndiqej në fshehtësi. Ismail Kadare vlerësohej publikisht për kontributin e jashtëzakonshëm të ndjeshëm dhe pamundësisht për ta nënvleftë- suar apo mohuar, ndërsa në fshehtësi mbetej i dyshimtë e i rrezikshëm nga udhëheqja politike. Për idetë e tij që shqetësonin, tronditnin dhe i krijonin pasiguri udhëheqjes politike, me urdhër direkt të udhëheqësit ai ndiqej dhe ndodhej realisht nën kthetrat helmuese të Sigurimit të Shtetit.

E vërteta për ndjekjen e Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit bazohet dhe provohet në analizën objektive të dokumenteve, fakteve reale, ideve, qëndrimeve që ai ka mbajtur në veprat dhe mesazheve që ato japin për problemet politike, ideologjike, filozofike, kulturore, shoqërore, jetën e secilit që mendonte ndryshe nga idetë shabllone të kohës dhe dëshironte të kishte vizionin e së ardhmes më të mirë. Ndjekja e tij agjenturore është fakti që demaskon kritikën denigruese, qëllimin e vërtetë të shpifjeve e akuzave, synimin për vrasjen në ndërgjegje, linçimin politik, ideologjik e letrar.

“Pallati i Ëndrrave” ishte selia ku “komandanti” i hyjnizuar ideonte dhe urdhëronte ndjekjen agjenturore me anë të legjendave, duke u fabrikuar e manipuluar provat, gjetur dhe imponuar personat që mund të dëshmonin kundër, krijimin e kushteve të paramenduara për ndërmarrjen e veprimeve konkrete për ta dënuar si armik cilindo që bëhej sadopak i rrezikshëm për pushtetin absolut të “udhëheqësit të madh dhe të dashur”.

URDHRI PËR ARRESTIMIN DHE DËNIMIN E ISMAIL KADARESË ËSHTË KONKRET DHE I VËRTETË

Ismail Kadare është një nga personalitetet e njohura intelektuale të kohës së socializmit diktatorial, i cili u vu në listën e zezë të armiqve e tradhtarëve. Me këto motivacione, ai u rreshtua si personi tipik në përbërjen e grupit komplotist të kryesuar nga Mehmet Shehu. Nën akuzën e bashkëpunëtorit komplotist kundër Enver Hoxhës, Ismaili do të dënohej dhe do të bëhej shembull për të frikësuar popullin, sidomos shkrimtarët e përgjithësisht intelektualët, cilindo që do të guxonte të mendonte dhe shprehej ndryshme nga politika dhe ideologjia e udhëheqësit. Akuza si komplotist ka qenë reale, e dokumentuar dhe e urdhëruar për t’u zbatuar.

• Në vitet 1981 dhe 1982, me iniciativën dhe interesimin direkt të Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë është urdhëruar dhe kërkuar nga Sigurimi i Shtetit dhe nga hetuesia përgatitja e dokumenteve procedurale për arrestimin e Ismail Kadaresë, me akuzat e rënda për veprimtari armiqësore si bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar nga Mehmet Shehu.

Ministri i Punëve të Brendshme ka drejtuar masat agjenturore dhe ato procedurale ligjore nga Sigurimi i Shtetit dhe grupi hetimor i komplotit për të përgatitur dokumentet që Ismail Kadare të arrestohet si sabotator i vijës së partisë në letërsi, art dhe kulturë, si dhe si pjesëtar i grupit komplotist të kryesuar nga Mehmet Shehu. Grupi operativ dhe grupi hetimor kanë bashkëpunuar dhe kanë përgatitur konkretisht materialet kallëzuese ligjore procedurale për arrestim.

Për këtë qëllim janë pyetur disa dhjetëra persona, të pandehur dhe dëshmitarë, janë administruar procesverbale nga grupi hetimor dhe grupi operativ si nga Fiqeret Shehu, Mihallaq Ziçishti, Skënder Shehu, Bashkim Shehu etj. Është botuar edhe një “faksimile içishtiferit sula”, ku janë dokumentuar qartë akuzat për veprimtari armiqësore komplotiste nga Ismail Kadare.

Po të krijoheshin mundësitë për t’u publikuar këto dokumente, të analizoheshin ato me përgjegjësi nga studiues dhe specialistë, si dhe nga persona që janë njohur në atë kohë për ndershmëri dhe objektivitet në punën e Sigurimit të Shtetit, hetuesisë, prokurorisë e të gjykatës në periudhën e socializmit, me siguri do të kuptohej, dokumentohej e njihej më gjerë ndjekja agjenturore ndaj Ismail Kadaresë. Opinioni publik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar do të bindeshin edhe më shumë për këtë realitet të fshehur të së kaluarës.

Do të viheshin para përgjegjësisë morale edhe shumë persona që e kanë akuzuar Ismail Kadarenë në fshehtësi e në situata të caktuara, por flasin me ide e tone të ndryshme në rrethana të tjera dhe në kohën e sotme;

• Në vitin 1990, pas kërkesës së Ismail Kadaresë për azil politik në Francë, ai është deklaruar zyrtarisht si dezertor, si tradhtar. Ramiz Alia ka urdhëruar direkt ministrin e Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, si dhe sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të Tiranës, ish-anëtar i Byrosë Politike, që ndaj Ismail Kadare të merren masa për ta ndjekur penalisht. Ndëshkimi me cilësimin politik e juridik tipik si tradhtar kishte disa qëllime:

1. Të mbështetej dhe ligjërohej qëndrimi politik i udhëheqjes së partisë-shtet;

2. T’i jepej fuqi edhe më të madhe dhunës së organizuar shtetërore që realizohej me urdhër direkt të Ramiz Alisë për vrasjet makabër në kufirin shtetëror, si dhe skenat e llahtarshme të shëtitjes së kufomave në disa qytete kufitare, si në Shkodër, Sarandë etj., të personave që kishin tentuar të arratiseshin jashtë shtetit.

3. Njëkohësisht synohej të parandaloheshin edhe arratisjet e personave zyrtarë që shkonin me shërbime jashtë shtetit;

• Ramiz Alia ka urdhëruar direkt që nga hetuesia të fillojë çështja penale ndaj Ismail Kadaresë. Pas analizës në sekretariat dhe në Byronë Politike është dhënë urdhri për ndjekjen penale në reagim të menjëhershëm ndaj kërkesës së bërë prej tij për azil politik në Francë. Masat e rrepta penale janë zbatuar ndaj cilitdo që arratisej ose nuk kthehej në Shqipëri, kur ishte larguar me shërbim për aktivitetet sportive, shkencore, si vizitorë etj.;

• Në gazetën “Zëri i Popullit” është publikuar qëndrimi personal e zyrtar i Ramiz Alisë, si dhe vendimi unanim i udhëheqjes partiake dhe shtetërore, në njoftimin e bërë nga ATSH: “ISMAIL KADARE DEZERTOI”.

Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji me shërbim në Francë, kërkoi pardje strehim politik atje. Me këtë akt të shëmtuar, që fyen rëndë ndërgjegjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të kombit shqiptar;

• Ndjekja e hapur dhe e fshehtë agjenturore e Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit dokumentohet gjerësisht. Opinioni publik është njohur edhe në dokumentet origjinale të publikuara në disa botime monografike shkencore, artikuj në median e shkruar, emisione audio-vizive, në dokumentet e publikuara nga “WikiLeaks”, në rrjetet sociale “Facebook”, “Twitter” etj.

Këto prova dhe fakte janë të dokumentuara në Arkivin e Shtetit, arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, arkivin e Komitetit Qendror të PPSH etj., si dhe pjesërisht të publikuara në median e shkruar dhe atë audio-vizive. Ato dëshmojnë për vlerësimin më me seriozitet të ndjekjes reale agjenturore dhe ligjore, si dhe në tërësi të figurës së Ismail Kadaresë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme