Vlahutin: Shqipërisë i duhet vendosmëri dhe kurajo për integrimin

00:14 | 28 Mars 2017
Trina Galanxhi

Ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin ka theksuar se Shqipërisë i duhet vendosmëri dhe kurajo në vendimmarje për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Ajo përsëriti angazhimin e institucioneve të BE për integrimin në union të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Deklaratat Vlahutin i bëri gjatë ceremonisë për përkujtimin e 60-vjetorit të nënshkrimit të traktatit të Romës.

‘Integrimi në Bashkimin Europian kërkon vendosmëri dhe kurajo për marrjen e vendimeve të rëndësishme’.

Kështu u shpreh ambasadorja Romana Vlahutin me rastin e kremtimit të 60-vjetorit të Traktatit të Romës.

Vlahutin theksoi angazhimin për përfshirjen e Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.

Vlahutin: Ju sigurojme angazhimin për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në BE. Federica Mogherini gjatë vizitës në Shqipëri ishte e qartë kur tha se BE nuk ka për të qenë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Integrimi në BE është një proçes që ka në thelb qytetarët dhe çdo gjë që ne si BE bëjmë në Shqipëri e bëjmë për qytetarër. Nga ana e qytetarëve dhe institucioneve shqiptare do të duhet vendosmëri për të arritur në fund të këtij proçesi dhe kurajo për të marrë vendime të rëndësishme. Kurrë nuk duhet të keni frikë për pengesat që mund të hasni gjatë rrugës.

Ndërsa Ambasadori italian, Alberto Cutillo, tha se lufta kundër korrupsionit dhe reforma në gjyqësor e kanë afruar më tepër Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Cutillo: Inkurajoj institucionet, qytetarët, që të bëjnë më të mirën e tyre në rrugën e integrimit. Të gjitha arritjet që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi, ju sjellin më pranë Bashkimit Europian.

Traktati i Romës u nënshrua me 25 mars 1957 nga 6 shtete të Europës dhe hodhi themelet e krijimit të Bashkimit Europian. Në ceremonine e përkujtimit të kësaj datë në Tiranë u lançua edhe Qendra e Informimit të Bashkimit Europian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme