Organizatat joqeveritare, të cilat merren me mbrojtjen e konsumatorit, alarmojnë për produkte të dyshimta, të cilat po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, ndonëse pohimet e tilla i kanë kundërshtuar mekanizmat shtetërorë që merren me kontrollin e produkteve.
Megjithëkëtë, qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë raportuar në vazhdimësi për produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e Kosovës.
Një shqetësim në Kosovë u shfaq me njoftimet për produktin e mishit me prejardhje të dyshimtë, por pas inspektimeve të bëra nga mekanizmat shtetërorë, thuhet se nuk është hasur në ndonjë produkt të tillë në treg.
Liridona Zeka, qytetare nga Prishtina, thotë të ketë hasur në një produkt të dyshimtë në një nga marketet dhe se për këtë thotë t’i ketë njoftuar organet kompetente.
“Po mund të hasësh në produkte të dyshimta në tregun e Kosovës. Në shumë raste ato nuk ruhen në temperatura të duhura dhe pavarësisht se kanë afat, ato nuk janë më për konsum, por prapë si të tilla shiten dhe konsumatorët i blejnë ato, siç ka qenë edhe në rastin tim”, thotë ajo.
Në Departamentin për mbrojtjen e Konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vetëm gjatë vitit të kaluar janë paraqitur 250 ankesa të konsumatorëve.
Plator Gërdovci, zyrtar për mbrojtjen e konsumatorit thotë për Radion Evropa e Lirë se kryesisht ankesat kanë pasur të bëjnë rreth sigurisë së produkteve joushqimore dhe produkteve ushqimore.
“Prej tyre, numri më i madh i janë drejtuar Inspektoratit të Tregut dhe Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, por ka ankesa drejtuar edhe rregullatorëve të ndryshëm. Ndërsa, këtë vit deri në këtë periudhë, kemi gjithsej 65 ankesa. Ne këto ankesa i drejtojmë tek inspektoratet kompetente për shqyrtimin e tyre, pasi që marrim përgjigje ato i drejtojmë te konsumatorët”, shpjegon Gërdovci.
Ndërkohë, udhëheqësi i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shumë herë në tregun e Kosovës has në produkte me origjinë të dyshimtë dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së kontrolleve të duhura që duhet bëjnë autoritetet kompetente.
“Cilësia dhe siguria jo vetëm e ushqimeve, por e gjithë asaj që na ofrohet në tregun e prodhimeve të mallrave dhe shërbimeve, është në raport të drejtë me nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve në Kosovë, e ligjet në Kosovë nuk zbatohen as 40 për qind. Me gjithë ligjet për mbrojtjen e së drejtës së konsumatorit neve kjo e drejtë nuk na njihet”, thekson Kaçaniku.
Në Kosovë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili, siç vlerësohet, është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kanë të bëjnë me një fushë të ndjeshme, sepse janë produkte, të cilat mund të kontaminohen shumë lehtë dhe për këtë edhe qytetarët duhet të kenë kujdes kur i blejnë produktet.
Por, gjithsesi, ai thotë se vazhdimisht janë duke punuar që produktet e dyshimta të mos bien në dorën e konsumatorit.
“Ne jemi me trupa inspektuese në kufi dhe në secilin rast të dyshimtë, ne veprojmë konform ligjeve në fuqi. Gjatë vitit të kaluar ne kemi bërë asgjësimin e afër 500 mijë kilogramë të produkteve me orgjinë shtazore, këtu hyjnë mishi, produktet e qumështit, derisa në total të gjitha produktet ushqimore të asgjësuara arrijnë vlerën e rreth 1 milion kilogram me 100 mijë produkte të asgjësuara”, thotë Thaçi.
Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.
Ambasadori britanik në terren me policinë, testojnë dronët e...
Spiunohen politikanët amerikanë/ Pekini tentoi të ndërhynte ...
Këto janë 4 komunat që prijnë me transparencën buxhetore
Kukaj: Sistemi arsimor të fokusohet tek edukimi i mirëfilltë...
Hapen aplikimet për stacionet e plazheve, Kumbaro: Vetëm për...
Para ndeshjes me Rumaninë, delegacioni i FFK-së mirëpritet n...