Google ADS

Efektiviteti i partive të koalicionit i diskutueshëm

11:31 | 26 Mars 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se do të presin deri në sekondën e fundit që deputetët serb të kthehen në institucionet e Kosovës dhe t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për ta themeluar ushtrinë e Kosovës, por, nëse kjo nuk ndodhë, kreu i shtetit është i bindur se këtë do ta bëjnë përmes projektligjit që ai ka iniciuar, e i cili tani gjendet në Qeveri për komente nga ana e ekzekutivit.

Në vazhdimin e dytë të intervistës për KosovaPress, presidenti Thaçi thotë se iniciativa e tij nuk është nxitim, madje e quan të vonuar.

Ai thotë se që nga viti 2014, kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë dhe kur dështoi themelimi i ushtrisë, ka kërkuar rikthimin e kësaj çështje në Kuvendin e Kosovës, porse deputetët serbë kanë bllokuar meqë janë të urdhëruar nga Beogradi për të mos i votuar ndryshimet kushtetuese që mundësojnë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Thaçi: Po presim ardhjen e Listës Serbe për votimin e ndryshimeve kushtetuese

“Unë jam plotësisht në favor të ndryshimeve kushtetuese sepse do të ishte me interes të përbashkët sepse të gjithë të jemi në këtë proces vendimmarrës, por aktualisht Lista Serbe e ka thënë qartë se nuk e voton sepse është urdhëruar nga Beogradi që të mos e votoj themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë dhe gjithë spektri politik do të presim deri në sekondat e fundit ardhjen e votimin e Listës Serbe për ndryshimet kushtetuese, ndërsa poqesë kjo nuk ndodhë, atëherë ne do të vazhdojmë me projektligjin që kam iniciuar”, tha Thaçi.

Thaçi thotë se bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk po pajtohet me metodologjinë e themelimit të ushtrisë, nuk e ka ruajtur dinamikën e interesimit për kthyer Listën Serbe në proceset e rëndësishme për shtet ndërtimin e vendit.

Thaçi: S’mund të mbetemi peng i Beogradit

“Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka ruajtur dinamikën e interesimit për të rikthyer Listën Serbe në proces të rëndësishëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ata janë qytetarë të Kosovës, janë deputetë të Kosovës, janë legjitim, janë njerëz që kemi diskutuar privatisht dhe zyrtarisht dhe kanë deklaruar se nuk do të ishin kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës por janë të urdhëruar nga Beogradi, kështu që ne nuk mund të mbetemi peng i Beogradit, jemi vend i pavarur dhe sovran. Veprimi ynë, angazhimi ynë nuk paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon. Pikërisht MIG-at rus, aviacioni rus, armatimi rus në Serbisë, paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Kreu i shtetit thotë se SHBA tash e tri vite kanë mbështetur themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, porse serbët kanë deklaruar qartë se nuk e votojnë themelimin e ushtrinë.

Mirëpo, Thaçi thotë se SHBA nuk është kundër ushtrisë, porse ata kanë dallime në metodologjinë se si kjo të bëhet.

Thaçi: Kemi dallime në metodologji, shpresoj në harmonizim gjatë ditëve të ardhshme

“Qëllimi im, i Washingtonit dhe NATO-s është i njëjtë, Kosova duhet të ketë ushtrinë. Kjo është e drejt, e ligjshme kushtetuese dhe legjitime. Askush nuk e konteston dhe nuk do ta kontestoj as në të ardhmen, kemi dallime në metodologjinë se si të lëvizet përpara, prandaj shpresoj që në ditët dhe javët e ardhshme do të harmonizohet gjithçka dhe do të kemi një proces gradual dhe inkluziv dhe të suksesshëm për themelimin e ushtrisë së Kosovës”, shtoi ai.

Megjithatë, presidenti nuk ka ndonjë datë se kur do të mund të harmonizohen qëndrimet, derisa takimin me ambasadorin amerikan, Gred Delawi e quan të zakonshëm, porse të veçantë.

Thaçi: Nuk dua të flas me data

“Prandaj nuk dua të flas me ditë dhe datë, por një ditë dua të konfirmoj, ushtria e Kosovës do të themelohet në një proces që ka filluar, një herë do të vazhdojmë të diskutojmë më serbët deri në ministrat dhe sekondat e fundit, që ata të binden dhe të kthehen në institucione ku edhe e kanë vendin, sepse ne duam ta themelojmë edhe Asociacionin, ata bojkotojnë institucionet, ne dëshirojmë të lëvizim për demarkacionin, ata bojkotojnë institucionet e vendit, ne dëshirojmë t’i themelojmë Forcat e Armatosura, ata bojkotojnë institucionet dhe nuk dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces. Pra do t’i shterim të gjitha mundësitë e dialogut tonë të brendshëm që ata të jenë pjesë e procesit vendimmarrës, por nëse ata nuk dëshirojmë, atëherë ne do të lëvizim me projektligjin i cili është i saktë, i mirë, profesional”, theksoi kreu i shtetit”, tha ai.

Presidenti Thaçi kur e ka nisur këtë iniciativë ka dhënë edhe një premtim, duke thënë se nëse projektligji shkon në Kuvend dhe nuk kalon, atëherë, ai do të jap dorëheqje, premtim të cilin thotë se do ta mbajë.

Thaçi: Do ta mbaj premtimin

“Deklarata ime ka qenë shumë e qartë që nëse projektligji shkon në Kuvend dhe nuk votohet, atëherë jap dorëheqje, kjo qëndron edhe sot, por unë kam besim se deputetët do të jenë në krye të përgjegjësive të tyre dhe e theksoj edhe një herë një konsensus i skenës politike Kosova nuk ka përjetuar kurrë në historinë e vet. Nëse deklaratën e pavarësisë së kanë nënshkruar 109 deputetë, tash minimum 110 deputetë do të jenë për të votuar ushtrinë e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Në këtë intervistë, presidenti Thaçi ka folur edhe për iniciativën e tij për dekriminalizimin e skenës politike në vend. Ai tha se dekriminalizimi i skenës politike është i shëndetshëm për vet partitë politike.

Thaçi: Dekriminializimi i skenës politike është i mirë për shëndetin e vet partive

“Unë me zgjedhjen time president kam iniciuar reformën në sistemin e drejtësisë, në kuadër të kësaj edhe dekriminalizimin e skenës politike kosovare. Mendoj që kjo duhet të arrihet përmes një kodi të mirësjelljes apo qoftë nevoja edhe përmes ligjit që njerëzit që janë nën hetime apo me akuza nga organet e drejtësisë të mos jenë as kandidat për kryetar komune, as kandidat për deputet, as mos të bartin poste institucionale. Mendoj që kjo është në shëndetin e partive, shoqërisë kosovare, në të mirë të rendit dhe ligjit”, theksoi Thaçi.

Ish lideri i PDK-së beson fortë se edhe ish partia e tij që tani udhëhiqet nga Kadri Veseli, do ta përkrahë iniciativën e tij për dekriminalizimin e skenës politike, ani pse kjo parti ka thuajse me së shumti të akuzuar e nën hetime.

Thaçi: Besoj në përkrahjen e të gjitha partive

“Definitivisht, unë kam besim të plotë se të gjitha partitë politike e kuptojnë rëndësinë e këtij mesazhi, këtyre vendimeve që Kosova të qeveriset prej njerëzve të mirë, pastër, njerëzve meritor që i shërbejnë vetëm qytetarit”, u shpreh ai.

Koalicioni qeverisës, edhe pse ka numrat e dy të tretave të deputetëve, ende nuk po arrijnë t’i kalojnë temat e mëdha, siç janë demarkacioni, e themelimi i asociacionit.

Për këtë, presidenti Thaçi thotë se është në përgjegjësinë e partnerëve të koalicionit t’i kryejnë këto tema, sepse i kanë numrat dhe të mos i lënë qytetarët të bllokuar, pa mundësi të lëvizjes së lirë.

Thaçi: Kalimi i demarkacionit dhe AKS-s, përgjegjësi e koalicionit

“Por është në përgjegjësinë e vet partnerëve të koalicionit të lëvizin në themelimin e Asociacionit, sikurse edhe demarkacionin, sepse pa demarkacion nuk ka liberalizim të vizave. Edhe këtu mbetet përgjegjësi e partnerëve të koalicionit sepse i kanë numrat që të shtyjnë këtë proces përpara dhe të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit. Përndryshe vendi do të mbetet në një vendnumërimi me kosto të lartë për ekonominë, për zhvillimin, për mirëqenien e qytetarëve, për liberalizimin e vizave. Se kur vendi do të shkoj në zgjedhje unë jam i obliguar si president të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por nëse ekzistoj vullneti i partive politike, presidenti i vendit do të respektoj vendimin e spektrit politik kosovar”, u shpreh Thaçi.

Megjithatë, kreu i shtetit e lë të diskutueshëm funksionimin e koalicionit aktual qeverisës, pikërisht pse nuk po arrijnë t’i përfundojë disa tema të mëdha, që po e mbajnë Kosovën peng të integrimit, ani pse i kanë numrat e mjaftueshëm prej dy të tretave.

Thaçi: Efektiviteti i partive të koalicionit i diskutueshëm

“Unë nuk flas në emër të partnerëve të koalicionit dhe as të opozitës, unë flas në emër të të gjithëve dhe ju shërbej të gjithëve. Kosova ka institucione e veta legale dhe legjitime, sa i përket efektivitetit është i diskutueshëm dhe mund të bëjmë edhe më tepër, gjithmonë ka hapësirë dhe ka kualitet që të lëvizet në rrugë me efektive për qeverisje me të mirë në Kosovë, gjithmonë duke realizuar aspiratat e njerëzve të vendit. Kështu që partia ime është Kosova dhe i shërbej vetëm vendit, jo aspiratave të asnjë partie të vetme, por të gjithave njësoj”, tha kreu i shtetit.

Thaçi shtoi se të mbyllur i lënë qytetarët ata që duhet të votojnë demarkacionin, por që vet dhe familjet e tyre kanë vizat në gjep dhe nuk mërziten për këtë çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme