Partia Demokratike e Kosovës ka miratuar një deklaratë politike në Konventën e tetë, përmes së cilës kanë rikonfirmuar qëndrimin se janë të gatshëm për zgjedhje parlamentare, kurdo që ato mbahen.
“PDK është e përgatitur për zgjedhjet lokale dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me degët do të nominojë kandidatët më të mirë dhe më profesionalë, të cilët do të dalin fitues në shumicën e komunave të Kosovës. PDK është e gatshme për zgjedhjet parlamentare, qoftë në afatin e rregullt, por edhe më herët, nëse për këtë ka dakordim nga i gjithë spektri politik”, thuhet në pikat 5 dhe 6 të deklaratës.
Më poshtë deklarata e plotë politike e Konventës së tetë të PDK-së.
1. PDK i jep mbështetje dhe besim të plotë Kryetarit të saj, Kadri Veselit, dhe strukturave drejtuese të partisë, në avancimin e proceseve që fuqizojnë shtetin dhe forcojnë besimin në institucionet e vendit.
2. PDK e vlerëson të rëndësishëm komunikimin e lidershipit të PDK-së me qytetarët e vendit, dëgjimin e shqetësimeve, preokupimeve dhe propozimeve të tyre te vlefshme, të cilat do të inkorporohen në platformën dhe vizionin e PDK-së për të ardhmen e vendit.
3. PDK mirëpret ardhjen e kuadrove dhe profesionistëve të dëshmuar dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen vizionit të PDK-së dhe sjellin një konkurrencë cilësore dhe vlerë të shtuar demokratike.
4. PDK mbështet vizionin e lidershipit për përfaqësim dinjitoz dhe të barabartë të femrës në strukturat vendimmarrëse të partisë, por edhe në institucionet e vendit.
5. PDK është e përgatitur për zgjedhjet lokale dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me degët do të nominojë kandidatët më të mirë dhe më profesionalë, të cilët do të dalin fitues në shumicën e komunave të Kosovës.
6. PDK është e gatshme për zgjedhjet parlamentare, qoftë në afatin e rregullt, por edhe më herët, nëse për këtë ka dakordim nga i gjithë spektri politik.
7. PDK i jep mbështetje Qeverisë dhe institucioneve tjera të vendit në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.
8. PDK i jep mbështetjen e plotë Presidentit të vendit, Hashim Thaçit, në angazhimin e tij për fuqizimin të rolit dhe misionit të ri të FSK-së, edhe përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në, dhe e sheh këtë si një hap të domosdoshëm, i cili i hap rrugë ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme të sigurisë, sipas standardeve të NATO-s dhe e shpejton rrugën e integrimit të Kosovës në NATO-s.
PDK e vlerëson se formimi i ushtrisë se Republikës se Kosovës është një hap i domosdoshëm dhe në përputhje të plotë me procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, i cili është bërë me mbështetjen dhe miratimin e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-ve.
9. PDK i inkurajon përfaqësuesit e serbëve në Kosovë që të bëhen pjesë konstruktive të këtij procesi dhe të gjitha proceseve me rëndësi për vendin dhe jetën e qytetarëve. Instrumentalizimi i tyre nga Beogradi dhe bojkotimi i institucioneve, mbi të gjitha, është në dëm të interesave të qytetarëve serbë të Kosovës.
10. PDK shpreh përkushtimin e saj për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
11. PDK kërkon nga institucionet që t’i kryejnë obligimet e tyre në raport me procesin e liberalizimit të vizave dhe sa më shpejt t’u mundësohet qytetarëve lëvizja e lirë.
12. PDK shpreh vullnetin e saj që për çështjen e demarkacionit dhe çështje tjera të interesit nacional të punohet bashkërisht që të arrihet një konsensus institucional dhe të kontribuohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje e cila është më shumë se e një partie politike. Ne duhet të tregojmë që jemi të gatshëm të marrim vendime të drejta, demokratike, që mbrojnë interesin nacional, respektojnë fqinjësinë e mirë dhe ruajnë partneritetin ndërkombëtar.
13. PDK mbështet dialogun si vlerë dhe alternativë e vetme për zgjidhjen e problemeve, por kërkon nga bashkësia ndërkombëtare si ndërmjetësuese e këtij dialogu që të bëjë presionin e duhur ndaj palës serbe që të respektojë marrëveshjet e arritura deri më tash dhe të ndërpresë provokimet e vazhdueshme që e minojnë këtë proces. Provokimet si ai me murin, trenin dhe provokime tjera janë të pajustifikueshme dhe nuk i shërbejnë ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore.
14. PDK kërkon nga partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë BE dhe SHBA, që të bëjnë presion mbi Serbinë për tërheqjen e fletarresteve që kanë motive politike dhe nuk kanë bazë juridike në raport me qytetarët e vendit tonë.
15. PDK shpreh vendosmërinë dhe angazhohet fuqishëm për sundim të ligjit të luftës të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në shoqëri.
16. PDK mbështet institucionet e rendit dhe sigurisë në luftën e vazhduar kundër terrorizmit dhe çdo akti dhe veprimtarie që cenon lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të vendit.
17. PDK ka qenë dhe mbetet një parti e qendrës së djathtë, puna e së cilës ka për qëllim zhvillimin dhe promovimin e vlerave demokratike dhe kushtetuese në Republikën e Kosovës, për të ndërtuar një vend sa më stabil dhe prosperues për brezat e ardhshëm.
18. PDK angazhohet fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit në bazë të parimeve dhe vlerave kushtetuese të tregut dhe konkurrencës së lirë.
19. PDK angazhohet dhe është e vendosur në respektimin, mbrojtjen dhe afirmimin e lirive dhe të drejtave të njeriut pa dallim, si dhe respektimin, mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, në pajtim me kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare.
20. PDK është e vendosur dhe synon të ndërtojë një pluralizëm politik të bazuar në frymën e tolerancës politike dhe bashkëpunimit të gjithmbarshëm të partive politike në të mirë të Republikës së Kosovës.
21. PDK punon fuqishëm për të mbrojtur vlerat kushtetuese të lirisë, paqes, barazisë, diversiteti etnik dhe shtetit laik e sekular, me qëllim të krijimit të një shteti të sigurt për të gjithë qytetarët.
22. PDK siguron të gjithë qytetarët e Republikës se edhe më tutje do të vazhdojë dhe do të intensifikojë aktivitetin e saj politik, me qëllim të jetësimit të vlerave të lartpërmendura, krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe krijimit të një ambienti social të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pa dallim.
23. PDK falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për të qeverisur vendin.
24. PDK zotohet se do te angazhohet për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë, për sigurinë e tyre, për kohezion nacional dhe qytetar, për partneritet ndërkombëtar në ndërtimin e Republikës së Kosovës vend të dashur për qytetarët tanë dhe të respektueshëm nga bota demokratike.
25. PDK angazhohet që Diaspora të ketë së paku tre deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
26. PDK fton gjithë anëtarësinë e saj dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës për angazhim të përbashkët dhe për fuqizim të PDK-se dhe Republikës së Kosovës.
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë