Kadri Avdiu nga fshati Ofqar i komunës së Mitrovicës në mungesë të rrymës është detyruar të ndërtojë një ‘Central me erë’ , përmes të cilit mund të furnizojë shtëpinë e tij me energji elektrike.
Rryma që prodhon kjo pajisje përmes erës është diku 1.4 KV që mund të shërbejë për drita, frigorifer të vogël por edhe për ndonjë pajisje punuese.
Ideatori i këtij projekti Kadri Avdiu ka rrëfyer për portalin Arbresh.info, idenë dhe vështirësinë që ka pasur për të ndërtuar këtë pajisje.
Ai ka thënë se ideja i ka lindur në mungesë të dritave, ku sipas tij me vite të tëra ka qëndruar nën dritën e qiririt.
“Këtë shtëpi e kam ndërtuar në vitin 2004. Kam investuar në rrugë mirëpo fatkeqësisht kemi probleme me rrymë sepse nuk po investon askush dhe jam detyruar ta bëjë këtë pajisje me erë. Këtë që e kam punuar është diku 300 vat 24 volt akumuluese dhe 1.4 KV që shërbejnë për drita, për një frigorifer të vogël edhe për ndonjë pajisje si burgia”, ka thënë Avdiu.
Këtë ‘central me erë’, Avdiu e ka ndërtuar gjatë muajit mars, dhe siç duket ia ka arritur qëllimit që ka pasur.
“Këta e kam ndërtua që një javë dhe është duke funksionuar super, nuk e kam besuar por e arrita qëllimin, meqenëse është shumë vështirë me ardhur deri të funksionimi i kësaj, për të prodhuar rrymë, ky model është mënyra ma e lehtë”, tregoi ai.
Për ndërtimin e centralit me erë, ai ka shpenzuar diku rreth 1000 euro të cilat i ka dhënë të gjitha nga xhepi i tij.
“Me shumë kam shpenzuar për motor magnetik dhe disa gjana tjera diku rreth 1000 euro me kanë kushtuar të gjitha për ndërtimin e kësaj pajisje”, tha ai.
Përpos vështirësive në gjetjen e materialit, Avdiu ka pasur vështirësi edhe me rrugën, ku siç tregon ai rruga për të shkuar në shtëpinë e tij është e pa ndërtuar. Por sipas tij javën tjetër Komuna e Mitrovicës i ka premtuar se do ta ndërtojë rrugën deri në shtëpinë e tij.
E synimet e zotëri Avdiut nuk ndalen këtu. Ai tregon për portalin Arbresh.info se do të ndërtojë edhe një central tjetër ajror ku do të prodhojë diku 10 KV.
“Këta a kam bërë si provë, tash tjetrën do ta bëj diku 10 Kilovat. Tash jam i bindur me veten se kom me ba diku 10 KV që me pas rrymë edhe për gjana tjera teknikes së bardhë”, u shpreh ai./M.Avdimetaj/Arbresh.info
https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1356129034452185/