Ministria e Arsimit hesht përballë cilësisë së dobët në shkollat nëpër fshatra

09:18 | 25 Mars 2017
M. A.

Një numër i konsiderueshëm i shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në fshatrat e Kosovës, kanë mbetur me numër të vogël të nxënësve dhe në shumë raste mësimi në këto shkolla mbahet në paralele të kombinuara.

Kjo thuhet të ketë ndodhur si pasojë e shpërnguljeve të mëdha të banorëve të Kosovës nga zonat rurale në ato urbane, shpërngulje këto të cilat filluan që nga paslufta në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm në vitin 2015 janë shënuar rreth 9 mijë raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën.

Kjo zhvendosje, thuhet se ka ndodhur me vetë vullnetin e qytetarëve dhe në kërkim të një jete më të mirë.

E gjithë kjo ka bërë që shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në fshatra të mbesin me numër të vogël të nxënësve, derisa shkollat në qytete, në veçanti në Prishtinë, të jenë të mbingarkuara.

Derisa, në shkollat e mesme të ulëta të fshatrave të Kosovës, mesatarja e nxënësve në një klasë është pesë nxënës, në shkollat në qytete, kryesisht në Prishtinë, mesatarja e nxënësve në një klasë është mbi 35.

Ekspertë të çështjeve të arsimit kanë ngritur shqetësime të mëdha rreth mësimnxënies dhe cilësisë së arsimit në përgjithësi.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se puna në paralele të ndara, është një problem akut dhe ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e arsimit.

“Arsyet janë të shumta: mbikëqyrja është më e vogël, mësimdhënësit nuk janë të përgatitur të punojnë në të ashtuquajturat paralele të kombinuara, problemet janë të natyrës organizative, financiare. Duhet të krijohen politika ligjore që numri i këtyre paraleleve të zvogëlohet ose të eliminohen, duke krijuar mundësinë e transportit të nxënësve në shkollat që janë më të mëdha ku ekzistojnë standarde, ku garantojnë standarde dhe cilësi”, vlerëson Hyseni.

Por, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nuk janë prononcuar rreth kësaj çështjeje, duke mos dhënë as të informacione për numrin e shkollave, ku mësimi zhvillohet me numër të vogël të nxënësve dhe me paralele të kombinuara.

Por, sipas udhëheqësit të Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit, Halim Hyseni, në Kosovë janë mbi 800 shkolla të tilla.

“Sipas shënimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që kemi, janë 816 shkolla të tilla në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët. Këto paralele kanë ndikim shumë të madh në uljen e cilësisë së arsimit në Kosovë, ku siç treguan rezultatet e Programit për vlerësimin ndërkombëtar, “PISA”, janë shqetësuese dhe e rrezikojnë të ardhmen e këtij vendi”, thekson Halimi.

Radio Evropa e Lirë ditë më parë ka vizituar njërën nga shkollat me numër të vogël të nxënëseve dhe paralele të kombinuara.

Shkurte Gashi – Halimi mësuese në shkollën e mesme të ulët “Azemi e Salihu” në Dabishec, pati treguar për vështirësitë që hasin në orët me paralele të kombinuara.

“Punoj në paralele të kombinuara me klasën e parë dhe të tretë. Zakonisht iu jap përparësi klasës së parë për shkak se janë më të vegjël. I ndaj lëndët gjuhë dhe matematikë. Por, në këtë orë të dy klasët janë duke mësuar në gjuhë shqipe pasi që klasa e tretë i ka pasur në orar dy orë gjuhë. Kjo është e vështirë për të gjithë edhe për neve si mësimdhënës, por më shumë për fëmijët”, ka treguar ajo.

Elvira Gjela, nxënëse në këtë shkollë, ka ndjekur mësimet e vetme që nga klasa e parë.

Ajo tani është në klasë të shtatë. Të gjitha këto vite, thotë Elvira, nuk kanë qenë aspak të lehta. Më së shumti thotë t’i kenë munguar shoqet dhe shokët e klasës.

“Kushtet në shkollë janë shumë të mira, por mësimi vetëm me një nxënës nuk është i mirë. Kam arritur të mësoj mirë, por kisha pasur dëshirë që të jemi më shumë nxënës, pasi që do të bashkëpunonim, do të mund të shkëmbenim ide me njëri tjetrin”, thotë ajo.

Elvira do të jetë e vetme në klasë vetëm edhe për një vit, pasi që së bashku me familjen pritet të shpërngulet në Prishtinë, ku edhe do t’i vazhdojë mësimet në ndonjërën nga shkollat e kryeqytetit.

Ndërkohë, përfaqësues të punonjësve të arsimit në Kosovë thonë të kenë njohuri për këtë problematikë që ka një numër i madh i shkollave në Kosovë.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë për Radion Evropa e Lirë së autoritetet kompetente duhet bërë një zgjidhje për këtë, por gjithsesi duke ruajtur numrin e tanishëm të të punësuarve në arsim.

“Duhet të ruhet numri i tanishëm i të punësuarve në arsim. Dikush që ka punuar me vite në arsim, nuk mund t’u thuhet që nuk ka më nxënës dhe nuk ka paralele dhe të shkojë në shtëpi, por nga ana tjetër, në shkollat e tilla sidomos në klasë të kombinuara, kolegët tanë kanë vështirësi për të realizuar misionin e tyre dhe për të shënuar arritje të mëdha”, thekson Jasharaj.

Cilësia e dobët e arsimit në Kosovë ishte bërë e ditur edhe nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar i njohur me shkurtesën “PISA”. Ky mekanizëm në vitin e kaluar kishte radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Pas këtyre rezultateve, institucionet e Kosovës miratuan edhe strategjinë e sigurimit të cilësisë në arsimin parauniversitar 2016 – 2020, strategji kjo e cila ka për qëllim përmirësimin e sistemit arsimor.

Edhe në të kaluarën, në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.

Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetente që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme