Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH, aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tuberkulozit

15:01 | 24 Mars 2017
Arbresh.info

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të sëmundjes së Tuberkulozit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri organizoi në mjediset e Dispancerisë së Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë një takim me punonjës të kujdesit shëndetësor që shërbejnë në këtë qendër.

Takimi kishte në fokus informimin, sensibilizimin dhe inkurajimin e personelit shëndetësor ndaj kësaj sëmundjeje.

Gazmend Bejtja, përfaqësues i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri u shpreh se OBSH-ja mbështet të vendet që janë pjesë e saj përsa i përket marrjes së masave për uljen e rasteve të reja të sëmundjes së Tuberkulozit. “Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet të gjitha vendet anëtare të OBSH-së, të Rajonit të Europës lidhur me marrjen e masave efikase për uljen e mëtejshme të rasteve të reja me Tuberkuloz, lidhur me suksesin e trajtimit, uljen e mëtejshme të vdekshmërisë nga Tuberkulozi dhe mbi të gjitha, uljen e rezistencës ndaj medikamenteve që përdoren ndaj Tuberkulozit”, u shpreh Bejtja.

Duke ju referuar aktivitetit të organizuar, z. Bejtja theksoi se ai “synon që të mbështesë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, mjek, infermierë, laborant, teknik, për punën e tyre të jashtëzakonshme që bëjnë për të luftuar një sëmundje e cila është një sëmundje, në të kaluarën është quajtur sëmundje e varfërisë. Sot, është një sëmundje e cila ndonëse është kontrolluar me sukses në Shqipëri, dhe në shumë vende të tjera të Europës, ekziston gjithmonë kërcënimi që në qoftë se bie pak alerti atëherë mund të rishfaqen raste të reja”.

Përfaqësuesi i OBSH-së nënvizoi gjithashtu se Tuberkulozi është një sëmundje e cila sot kurohet me sukses por duhet pasur gjithmonë kujdes. “Tuberkulozi është një sëmundje e cila sot kurohet me sukses. Është sëmundje e cila diagnostikohet mirë dhe në kohën e duhur por ka një problem. Duhet që personat të shkojnë përmes të gjithë ciklit të ekzaminimeve, të marrin trajtimin e duhur për kohëzgjatjen e duhur. Trajtimi zgjat me disa muaj, në varësi të formës së Tuberkulozit. Organizata Botërore e Shëndetësisë e mbështet teknikisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe gjithë strukturat për të aktivizuar masa që shkojnë edhe përtej sektorit të shëndetësisë.

Ndërkohë, menaxherja e Programit Kombëtar të Tuberkulozit në Shqipëri, znj. Donika Mema, bëri të ditur se situata epidemiologjike e sëmundjes së Tuberkulozit në Shqipëri për momentin është në gjendje stabël. “Situata epidemiologjike e Tuberkulozit në Shqipëri për momentin është në gjendje stabël. Pra këto pesë vitet e fundit kemi të njëjtin numër rastesh që është rreth 400 raste. Krahasuar me vitin 1990, kur këto raste kanë qenë dyfishi, pra kanë qenë nga 800 deri në 900 dhe me një incidencë 20 për 100 mijë banorë, tani jemi me një incidencë 14.5% për 100 mijë banorë. Nga të dhënat që raportojmë ne si vend tek Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ECDC-ja konsiderohemi si vend me insidencë të ulët”, u shpreh Mema.

Ajo sqaroi gjithashtu se “Epidemiologjia e Tuberkulozit në Shqipëri monitorohet nga të gjitha Dispanceritë e rretheve, nga Programi Kombëtar i Tuberkulozit dhe nga spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, nga Instituti i Shëndetit Publik që janë epidemiologët që bëjnë kontrollin në vatër të familjarëve të pacientëve që dalin me Tuberkuloz dhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku ne të gjitha këto të dhëna që mblidhen nga Dispanceritë, nga spitalet, raportohen në Ministrinë e Shëndetësisë ku bëhen edhe politikat që ndiqen për menaxhimin sa më të mirë të sëmundjes së Tuberkulozit në Shqipëri”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme