Alarmi i mishit të kalbur: Shqipëria importon 25 % të sasisë nga Brazili

13:00 | 24 Mars 2017
Arbresh.info

Teksa e gjithë bota është përfshirë në hulumtime nëse mishi i kalbur brazilian ka përfshirë vendet e tyre, shihet se Shqipëria vitin e kaluar 25 për qind të importeve të mishit i pati nga Brazili.

Importet e mishit dhe të ngrënshmeve të tij shënuar 38 mijë e 851 tonë nga të cilat 9701 tonë ishin importe nga Brazili, i cili kryeson listën vendeve nga ku Shqipëria importon mish.

Importet e mishit nga Brazili kanë pësuar luhatje nga viti në vit, por gjatë vitit 2016 ato pësuan një rritje prej 23 për qind. Në vitin 2010 mishi brazilian i importuar në vendin tonë arriti në 12 mijë e 395 tonë dhe më pas në vitin 2011 shënoi një rënie me 17 për qind.

Rënia vijoi përgjatë viteve e 2012 dhe 2013 me ritme dyshifrore për rinisur sërish rritjen me rreth 80 për qind më vitin 2014. Në vitin 2015 është vënë re një ulje e importeve të mishit nga Brazili me 33 për qind, por ato u kompensuan me 2016.

Më herët gjate javës se kaluar autoritet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të lartë të qeverisë pas një investigimi i cili ka gjetur se ata kanë qenë të lidhur me prodhuesit e mëdhenj të mishit dhe vend është shitur një sasi e madhe pulash dhe mishi i kalbur.

Dhjetëra impiante të përpunimit të mishit atje janë mbyllur dhe vendi është përfshirë nga një kontroll masiv për të parandaluar konsumin e mëtejshëm të tij.

Sakaq e gjithë bota është përfshirë në panik pasi Brazili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në botë dhe eksporton një sasi të madhe të tij në Europe.

Sipas The Economist Kina, Bashkimi Evropian (BE), Kili dhe Korea e Jugut së bashku konsumojnë një të tretën e mishit brazilian të shitur jashtë vendit. Bashkimi Europian ka kufizuar aktualisht importin e 21 kompanive në hetim.

Kompanitë e mishit në Brazil kishin arritur të shisnin produktet e skaduara duke korruptuar zyrtarët e dy partive kryesore në vend.

Në raport-progresin 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë konstatohet se nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nuk janë bërë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore.

AKU-ja është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit).

Mirëpo struktura relativisht e vogël e bën të pamundur inspektimin e plotë të të gjithë subjekteve, të cilat janë të shumta në numër, pohon drejtori i institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Taulant Kalo.

Europa është cilësuar si vend që krijon barriera në lidhje me importin e produkteve ushqimore (sidomos për grupin e ushqimeve me prejardhje shtazore), duke e argumentuar me faktin se mbron konsumatorin vendas./Monitor/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme