Enver Zhjeqi po akuzohet se duke u paraqitur rrejshëm si zyrtar i Komunës së Prishtinës mashtroi një familje duke përfituar 53.590 euro.
Gjykata Themelore e Prishtinës akuzon Enver Zhjeqin për mashtrim dhe prezantim të rremë si person zyrtar, pasi që pretendon se i njëjti ka mashtruar familjen e Burim Rekës duke u prezantuar si zyrtar i komunës dhe duke përfituar në vlerë prej 53.590 euro.
Sipas aktakuzës, Enver Zhjeqi ka mashtruar familjen e Burim Rekës, duke iu thënë se mund t’ua rregullonte lejen e ndërtimit për shkak të qasjes që ka në Komunën e Prishtinës, kështu duke i shtyrë ata që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.
Gjatë deklaratës së tij, i akuzuari Zhjeqi u deklarua i pafajshëm për veprat penale për të cilat ngarkohet.
Avokati mbrojtës Nexhmedin Sejdiu, pati ankesa lidhur me aktakuzën e ngritur nga prokurorja Javorka Perlinqeviq, duke thënë se aktakuza përmban kundërthënie dhe mospërputhshmëri, si dhe dispozitivi i parë i kësaj aktakuze nuk i ka elementet të cilat sajojnë figurën e veprës penale.
“Kjo çështje në fund do të përfundojë vetëm si marrëdhënie civile-juridike ngase marrja e huasë apo kthimi i saj, apo mjeteve të cilat pretendohet, nuk është bazë ligjore për të kaluar si çështje penale”, tha Sejdiu.
Më tutje, Sejdiu, theksoi se provat e prezantuara nga prokuroria si SMS-të dhe CD-të me video-incizime janë marrë në mënyrë të paautorizuar.
“Kërkoj nga prokuroria veçanërisht nga gjykata që deri në fund të shqyrtimit gjyqësor, provat të cilat janë prezantuar nga prokuroria si SMS dhe CD incizimet të veçohen nga shkresat e lëndës, kjo për faktin se si të tilla janë incizime të paautorizuara”, potencoi Sejdiu.
Ndërkaq, në seancë dëshmoi njëri nga të dëmtuarit e familjes, Burim Reka, i cili posedon fabrikë për prodhimin e gypave.
Reka theksoi se nuk e kishte njohur më herët të akuzuarin, deri sa ky i fundit ka shprehur interesim për të marrë pjesë në një projekt.
Zhjeqi i ishte paraqitur familjes Reka si zyrtar komune dhe i caktuar si mbikëqyrës në Sheshin “Nëna Terezë”.
Për shkak të postit të pretenduar si zyrtar komune, pagesa për leje ndërtimi e taksa komunale i ishte besuar të akuzuarit Zhjeqi.
Sipas dëshmitarit, në një rast, Zhjeqi kishte prezantuar një fletëpagesë për leje ndërtimi në shumë prej 20.200 eurove, pagesë kjo e cila ka rezultuar të jetë false.
“Njëherë na ka prezantuar një fletëpagesë për leje ndërtimi në shumën prej 20.200 eurove e cila ka rezultuar se është fallco por ne nuk e kemi verifikuar. Atë ditë kur edhe e ka marrë atë fletëpagesë ai gjatë ditës ka qenë 4-5 brenda një kohe të shkurtër, me arsyetimin se kemi mbledhje në komunë”, tha Reka.
Më tutje, Reka theksoi se Zhjeqi i kishte marrë para hua në vlerë prej 14.700 euro. 10.000 euro i kishte marrë me arsyetimin se kishte bërë dasmë, 2.500 euro borxh dhe 2.200 për një veturë.
Në bazë të aktakuzës, nga viti 2012, e deri më 2013, i akuzuari Zhjeqi, me qëllim që të përvetësojë sendet e huaja të luajtshme, në mënyrë që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka mashtruar familjen Reka.
I akuzuari është prezantuar si person ndërlidhës i investitorëve “M&R Invest” dhe ka nënshkruar kontratë me kompaninë “inTECH”, me qëllim të pjesëmarrjes, bashkëpunimit, zhvillimit dhe realizimit të projektit të banimit kolektiv në Lagjen Tophane të Prishtinës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kontaktit me familjen e Burim Rekës, i akuzuari ka shprehur interesim që të jetë pjesë e projektit me investitorët “M&R Invest”, ku të njëjtëve u ka thënë së mund t’ua rregullojë lejen e ndërtimit në afat shumë të shkurtër, për shkak të qasjes si zyrtar i komunës.
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...