Google ADS

Sanksionet ndaj Maqedonisë, të mundshme

15:42 | 22 Mars 2017
Arbresh.info

Nikolla Gruevski dhe bashkëveprimtarët e tij përfshirë edhe presidentin George Ivanov mund të përballen me sanksione nëse vazhdojnë të injorojnë thirrjet e Brukselit për të lejuar formimin e qeverisë së re.

Sipas ekspertëve sanksionet fillimisht mund të jenë në formën e ndalimit të lëvizjes së tyre në shtetet e BE-së dhe ngrirjes së pasurisë së tyre.

“Bëhet fjalë për sanksione, që në plan të parë do të jenë personale më shumë se sa ndaj gjithë shtetit. Dhe mendoj se qartë i tregohet Gruevskit çfarë e pret dhe çfarë do të ndodhë, sepse ai ishte politikan tejet i padisiplinuar”, tha ish- ambasadori Nano Ruzhin.

Profesoresha Besa Arifi përkujton se më 12 dhjetor të vitit të kaluar Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të tilla mbi 7 individë në Republikën Demokratike të Kongos dhe tre prej këtyre individëve kanë qenë zyrtarë të lartë, të cilët janë sanksionuar jo për shkak se kanë bërë dhunë vetë, por për shkak se kanë iniciuar dhunë dhe për shkak se kanë penguar një proces demokratik zgjedhor në Kongo,raporton Alsat M

Edhe kryetari i Këshillit Euro-Atlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani nuk përjashton mundësinë që BE-ja në raportin e veçantë pranveror të shqiptojë sanksione individuale dhe shtetërore për Maqedoninë si embargo të armëve, kufizime tregtare, kufizime financiare, kufizim të lëvizshmërisë ose sanksione diplomatike.

“Atë nuk do ta bëjnë me dëshirë, por ndoshta mund ta bëjnë për fatin se duhet të disiplinojnë, respektivisht të vetëdijesojnë përkrahësit e këtyre problematikëve, qoftë të Ivanovit ose të Gruevskit, se nuk duhet të përkrahin opsion i cili Maqedoninë e mban jashtë udhëtimit euro-atlantik”, tha Ramadani.

Por, krerëve të VMRO DPMNE-së nuk iu bëhet vonë as për sanksionet e mundshme personale e as ato shtetërore. Për Antonio Milloshovskin shantazhet e BE-së të përcjella nga euro-komisari Han janë po aq irelevante sa edhe negociatat për integrimin e Maqedonisë në BE.

“Me Hanin biseduam për disa çështje që ishin aktuale këto muaj, ne ishim të drejtpërdrejt dhe thamë se Maqedonia është e hapur për t’i filluar negociatat me BE-në që nga viti 2009, por ne jemi të bllokuar gjithë këto vite dhe cilat do shantazhe dhe negociata janë irelevante për momentin, sepse Maqedonia pret që nga viti 2009, kurse dikush vazhdimisht na bllokon”, tha Milloshovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së pas takimit me eurokomisarin Han.

Kjo deklaratë e Milloshovskit, bashkë me qëndrimin e presidentit, George Ivanov ndaj përfaqësuesit të BE-së sipas ekspertëve është sinjal i orientimit pro rus të VMRO DPMNE-së dhe përpjekja e tyre për ta involvuar sa më shumë Rusinë në këtë pjesë të Ballkanit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme