Autostradat e Kosovës që synojnë ta lidhin atë me vendet e tjera të rajonit, nuk kanë reflektuar një zhvillim të madh ekonomik, sado që sipas ekspertëve ato mund ta kenë nxitur këtë zhvillim.
Sipas tyre, ndërtimi i autostradave duhet të përcillet me ‘masa të caktuara në fushën e zhvillimit ekonomik’.
Dy projektet madhore të infrastrukturës rrugore të Kosovës, autostrada që lidh vendin me Shqipërinë, pothuajse e përfunduar në tërësi që prej vitit 2013 dhe tjetra që nisi një vit më vonë drejt Shkupit, nuk e kanë avancuar zhvillimin ekonomik të vendit, pavarësisht pritjeve të theksuara.
Autoritetet e Kosovës, vitin e kaluar prezantuan edhe projektin e autostradës së tretë në Kosovë,Prishtinë – Gjilan- Konҫul, duke synuar ta lidhin Kosovën me korridoret evropiane.
Projekti rrugor Durrës – Merdarë – Nish që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, njihet si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor, të cilin Bashkimi Evropian është zotuar se do ta financojë.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë infrastrukturë Kosova ka krijuar një avantazh strategjik, mirëpo kjo duhet të përcillet me masa tjera që mundësojnë që produktet e Kosovës të jenë konkurruese.
“Efektet ekonomike që i krijojnë investimet në infrastrukturë nuk i shoh brenda një periudhe tre apo katër vjeçare, por brenda një kornize brenda 10 vjeçare. Autostradat e kanë ndikimin e vet, por nuk mjaftojnë, sidomos në vendet si Kosova e cila ballafaqohet me një aftësi konkurruese jo të mjaftueshme të produkteve që mund të jenë produkte me destinim për eksport”, thekson Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.
Bizneset e Kosovës, shton Rukiqi, vazhdojnë të ballafaqohen me një konkurrencë të padrejtë, informalitet, probleme me energji elektrike dhe nivelin e lartë të korrupsionit në vend.
Këto barriera, sipas tij, e bëjnë Kosovën të mos jetë konkurruese me produktet e saj.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, thekson se infrastruktura rrugore është parakushti kryesor që gjeneron zhvillim afatgjatë për një vend.
Ndërtimi i këtyre autostradave, thekson ai,janë përftimi kryesor për qytetarët e Kosovës dhe bizneset, dhe me pas këto rrugë shfrytëzohen edhe nga vendet e rajonit si transit.
“Ndërtimi i infrastrukturës rrugore krijon parakushte zhvillimore. Pritjet tona kanë qenë më të mëdha sa i përket shkëmbimeve tregtare me Maqedoninë dhe me vendet tjera sidomos sa i përket eksportit, por efekti pozitiv i këtyre shkëmbimeve është edhe sa i përket importit, pasi që infrastruktura më e mirë fizike e ul çmimin e produkteve të importuara për konsumatorët vendor dhe për furnizimet për bizneset vendore”, thekson Gashi.
Ajo që është shqetësuese thotë Gashi është fakti që disa vende fqinje, siç është Maqedonia, nuk po vazhdojnë ndërtimin e autostradave që lidhen me Kosovën me ato vende.
Aktualisht, shkëmbimet tregtare mes shteteve që lidhin këto autostrada nuk kanë qenë në favor të Kosovës.
Deficiti tregtar vazhdon të jetë i lartë në Kosovë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria kapin vlerën e mbi 99 milionë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që janë eksportuar në Shqipëri janë vetëm 15 milionë euro.
Ndërkaq, eksporti i mallrave nga Maqedonia në Kosovë sillet rreth 300 milionë euro, ndërsa, importi nga Kosova në Maqedoni nuk është më shumë se 35 milionë euro.
Serbia ndërkaq vazhdon të mbetet importuesi më i madh në Kosovë.
Importi i mallrave nga Serbia në tregun e Kosovës, në vit arrin vlerën e afër 400 milionë eurove, derisa fuqia eksportuese e prodhimeve “Made in Kosova” në tregun e Serbisë është dhjetë herë më e vogël, apo rreth 35 milionë euro në vit.
Me autostradat e ndërtuara autoritetet vendore kanë theksuar se duan të lidhin me rrugët jo vetëm qytetarët e vendit, por edhe Kosovën me vendet e rajonit dhe rrjedhimisht të Evropës Perëndimore. Kjo sipas tyre do ta përafronte vendin me Evropën dhe do ta ndihmonte njëkohësisht edhe ngritjen ekonomike të tij. (REL)
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”