Google ADS

Ndërgjegjësohen marketet, fillojnë ndarjen e produkteve me vaj bimor

15:04 | 22 Mars 2017
Arbresh.info

Disa markete të mëdha në vend kanë filluar që të ndajnë në rafte të veçanta produktet me vajra bimore dhe produktet e pastra të qumështit.

Shitja e tyre nëpër rafte të njëjta është parë problematike, pasi shumë shpesh ka hamendësuar konsumatorët gjatë blerjes. Sidomos kjo çështje është ngritur nga raportimet e medieve se në Kosovë importohen sasi të mëdha të vajti të palmës dhe për përmbajtjet e larta të këtij vaji në disa produkte që janë shitur si të qumështit.

Për këtë çështje janë alarmuar edhe vendet e BE-së, sidomos pas raportit të Agjencisë Evropiane për Siguri në Ushqim, ku është thënë se ky lloj vaji ka edhe rrezikshmëri kancerogjene.

Në INTEREX, njëri nga marketet e mëdha në vend, e kanë konfirmuar se kanë bërë ndarjen e produkteve që kanë për bazë qumështin nga produktet me yndyrë bimore. Ata kanë thënë se pasi kanë marrë sugjerime nga konsumatorët dhe inspektorati sanitar, e kanë bërë këtë ndarje të produkteve me vendosjen e shkrimit të dallueshëm lehtë mbi raft.

Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” ka thënë se ndërmarrja e hapave të tillë nga disa markete është e mirëseardhur pasi që kjo e ndihmon konsumatorin gjatë blerjeve.

Por, megjithatë ai nuk është plotësisht i kënaqur me këtë ndarje, pasi konsideron që nuk është e mjaftueshme dhe nuk po bëhet në të gjitha marketet e vendit.

Sipas drejtuesit të Organizatës “Konsumatori” ndarja e këtyre produkteve në rafte të veçanta i mbron shtetasit e Republikës së Kosovës, gjatë blerjeve të tyre nëpër qendrat tregtare.

“Përfitimi i konsumatorit është tejet i madh. Sepse, kështu ai do të mund ta kontrollojë sasinë dhe cilësinë e yndyrës bimore të konsumuar gjatë ditës dhe të kujdeset për shëndetin e tij”, tha Kaçaniku.

Edhe qumështarët i gëzohen iniciativës, por theksojnë se duhet bërë më tepër. Përfaqësuesi i tyre, Ramadan Memaj, thotë se për të qenë ndarja siç duhet, institucionet përkatëse duhet të bëjnë trysni më të madhe dhe kjo ndarje të bëhet në të gjitha pikat e shitjes.

“Ndarja duhet të jetë e dallueshme me një mbishkrim ku theksohet se produktet janë me vaj bimor, sikurse janë praktikat në Bashkimin Evropian. Shënimi duhet të jetë i dallueshëm lehtë edhe për personat e moshuar”, tha Memaj.

Sipas tij, ndarja mund të përshpejtohet nëse inspektorati merr masa dhe rrit kontrollet nëpër markete.

Ndërkohë edhe marketet tjera të mëdha në vend janë zotuar se së shpejti do të bëjnë ndarjen e produkteve të qumështit me përmbajtje të vajrave bimore, ndërsa sipas Doganës së Kosovës vetëm gjatë vitit 2016 janë importuar 1.8 milion litra vaj palme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme