Google ADS

Hysaj e komenton kështu sfidën e madhe Itali – Shqipëri

14:02 | 22 Mars 2017
Arbresh.info

Kombëtarja e Shqipërisë premton se do të jap maksimumin në ballafaqim me Italinë, ani se kjo e fundit është favoritë dhe luan në konak të saj përkatësisht në Palermo (20.45, me 24 mars).

Gjithçka është e gatshme për ndeshjen e xhiros së pestë të grupit G të kualifikimeve për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’ në futboll. Elseid Hysaj nuk ka asnjë dyshim: Itali-Shqipëri është një sfidë speciale për të gjithë. “Si gjithmonë Shqipëri-Itali kemi qenë afër dhe ka për të qenë një ndeshje e bukur si për ne ashtu edhe për italianët. Kemi qeshur me Insignen kemi bërë pak shaka. Edhe pas ndeshjes me Empolin edhe përpara nisjes i thashë që jemi kundërshtarë dhe s’kemi për të folur më. Do të jetë një ndeshje e bukur për të dy, tha Hysaj. Sipas yllit të mbrojtjes kuqezi, Shqipëria është gati dhe e vetëdijshme çfarë e pret të premten në Palermo, por nuk i trembet yjeve të Italisë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv pavarësisht mungesave.

“Besoj që do të jemi gati dhe do të jetë një ndeshje e bukur si për ne ashtu edhe për italianët. Yjet e Italisë? Ne duhet të mendojmë si të mbrohemi. Italia mund të bëjë më mirë duke sulmuar dhe më keq duke mbrojtur. Mirë apo keq ne i njohim vlerat e Italisë, cilët janë lojtarët, ku luajnë dhe jemi të vetëdijshëm çfarë na pret. Ne luajmë për të marrë rezultat pozitiv. Mungesa kemi parë edhe në ndeshjet e mëparshme. Çdo kush që do të luajë do të japë 100 për qind. Besoj që do të shkojmë për rezultat pozitiv. Nuk mund të themi që do të fitojmë, të barazojmë apo të humbasim. Të gjithë luajnë për të fituar. Suksesi shërben për vendin e dytë”, ka thënë ai.

Hysaj nuk pranon të dëgjojë që Kombëtarja është jashtë garës në kualifikueset e Botërorit 2018, ndërsa beson se tifozët do të jenë të shumtë në stadiumin “Renzo Barbera”.

“Stadiumi është shumë i bukur, fusha do të jetë në gjendje perfekte. Shpresoj që shumë shqiptarë të gjejnë mënyrën të jenë të pranishëm për të na mbështetur si gjithmonë dhe besoj se do të kënaqen. Nga gara nuk kemi dalë ende, sepse janë edhe gjashtë ndeshje. Na shkoi keq ndeshja me Izraelin, por me ndihmën e trajnerit dhe stafit e kemi marrë veten. Do të zbresim në fushë dhe do të bëjmë më të mirën”, thotë Hysaj.

Me De Biasin të shqetësuar se 23-vjeçari shkodran ka luajtur shumë ndeshje gjatë këtij sezoni, mbrojtësi i Napolit i qetëson të gjithë dhe shprehet gati për Kombëtaren: “Për mua është kënaqësi, që në moshën 23 vjeçare i luaj të gjitha ndeshjet në Serie A dhe në Champions. Për më tepër që vij në Kombëtare është një kënaqësi më tepër. Nuk ndjej lodhje. Gjithashtu edhe djemtë e tjerë që ndoshta kanë luajtur më pak do të japin maksimumin”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme