Google ADS

Zgjedhjet presidenciale të Serbisë, do të mbahen edhe në Kosovë

09:04 | 22 Mars 2017
Arbresh.info

Zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat pritet të mbahen më 2 prill, do të mbahen edhe në Kosovë, në mjediset ku jetojnë serbët, konfirmojnë zyrtarët e Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.

Slavko Simiq, drejtuesi i Listës Serbe dhe shef i grupit parlamentar të këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një praktikë e tillë, ka ndodhur edhe më parë, për shkakun se shtetësia e dyfishtë u jep të drejtën serbëve të Kosovës që të votojnë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

“Zgjedhjet do të kryhen ashtu siç janë kryer edhe deri më tash, ato parlamentare dhe presidenciale”, ka thënë Simiq.

Kohë më parë, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbia ka marrë vendim që për zgjedhjet presidenciale serbe, të 2 prillit, serbët e Kosovës të votojnë në 90 vendvotime.

Zyrtarët e këtij komisioni kanë thënë se vendimi për vendvotimet në Kosovë do të vlejë me tutje, në qoftë se vlerësimi mbi sigurinë lejon që zgjedhjet të mbahen.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë, pavarësisht përpjekjeve për të konfirmuar se cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës lidhur mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë, nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e ekzekutivit.

Por, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës, Valdete Daka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lidhur me zgjedhjet presidenciale të organizuara nga Serbia, për të cilat autoritetet serbe kanë paralajmëruar se do t’i hapin vendvotimet edhe në Kosovë, komisioni që ajo drejton nuk ka kurrfarë roli.

“KQZ-ja është institucion i Republikës së Kosovës, organizon zgjedhjet në Republikën e Kosovës dhe për neve zgjedhjet e Serbisë janë jo ekzistuese në Kosovë. Pra, ne nuk kemi as rol, as kërkesë nga askush, as nga institucionet tona e as nga institucionet ndërkombëtare, që të kemi çfarëdo lloj involvimi në këto zgjedhje”, ka thënë Daka.

Por, Simiq, thekson se për procesin e votimeve në Kosovë, për zgjedhjet presidenciale serbe, do të kujdeset Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës (OSBE).

“Absolutisht jam i sigurt që misioni i OSBE-së do t’i zbatojë zgjedhjet krejtësisht në rregull, ashtu siç ka qenë praktika edhe në disa vitet e kaluara”, ka thënë Simiq.

Por, misioni i OSBE-së ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar nëse do të ketë ndonjë rol që ndërlidhet me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe, në mjediset e banuara me serb në Kosovë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Serbisë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës, kishte ndërmarrë operacionin për “grumbullimin e votave në Kosovë, për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill 2016”.

Materialin zgjedhor nga Serbia e pati sjellë misioni i OSBE-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, dhe për zgjedhjet parlamentare ishin hapur 90 qendra votimi dhe disa vendvotime në 21 lokacione.

Siç ishte thënë, në zgjedhjet parlamentare apo presidenciale të Serbisë, të drejtën e votës e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë shtetësinë e dyfishtë, pra, edhe shtetësinë serbe. (REL)

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme