Qeveria dhe bizneset mbështesin prodhimet vendore

17:15 | 21 Mars 2017
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ka vlerësuar punën e bizneseve tregtare në prezantimin e produkteve të shumta të prodhuesve vendor duke iu mundësuar konsumatorëve të shumtë të blejnë edhe produktet e prodhuara në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi, me këtë rast, foli për prodhimet vendore në lëmin e bujqësisë, në industrinë e tekstilit, të këpucëve dhe industrive tjera joushqimore, në industrinë e qumështit dhe ushqimeve, duke theksuar masat që pritet të marrë Qeveria në fuqizimin e sektorëve prodhues në vend.

Zëvendëskryeministri Kelmendi foli edhe për përgatitjet e Qeverisë për pakon fiskale 2, e cila do të mundësojë rritjen e produktivitetit të sektorit prodhues.

“Prodhuesit vendor do të kenë mundësi t’i ngritin kapacitetet prodhuese diku rreth 30 % më shumë se që i kanë tani, cilësinë dhe kualitetin e produkteve dhe kjo rezulton edhe me rritjen e vendeve të punës proporcionalisht, ku edhe shton konkurrencën me regjionin dhe mundësinë e eksportit. Por, në këtë rast po kërkojmë që aftësitë e juaja tregtare t’i vendosni në mbështetjen e ekonomisë së Kosovës, dhe këtu shfrytëzoj rastin t’i ftoj edhe qytetarët që ta mbështesin këtë me konsum”, theksoi zëvendëskryeministri Kelmendi, duke folur edhe për avancimin e legjislacionit i cili i rregullon këto marrëdhënie.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, para të pranishmëve tha se Qeveria e Kosovë e ka pasur në fokus që nga fillimi i saj agjendën e zhvillimit ekonomik.

“Kemi punuar të gjitha dikasteret që kanë kompetenca në fushën e zhvillimit ekonomik, nën koordinimin e Kryeministrit Mustafa që të kemi një ambient të biznesit më të mirë dhe besoj që ia kemi arritur. Agjenda e jonë po vazhdon të implementohet dhe tani ambienti i përmirësuar konfirmohet nga raportet dhe institucionet ndërkombëtare, por gjithashtu edhe nga ju si përfaqësues të biznesit në vend”, tha ministrja Bajrami.

Përfaqësues të bizneseve dhe të qendrave tregtare të ndryshme të Kosovës, kanë shprehur pikëpamjet, objektivat dhe kërkesat e tyre, duke theksuar në vazhdimësi përkrahjen e mëtejshme për prodhuesit vendor.

Ata vlerësuan përkushtimin e Qeverisë për të ndihmuar tregtarët dhe prodhuesit vendor në qasje më të lehtë dhe më efektive në tregun evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme