Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka qenë një ndër folësit kryesorë në Forumin Global për Inovacione në Bujqësi, që po mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Siç njofton kumtesa nga MBPZHR-ja, në këtë forum po marrin pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha botërore që merren me zhvillimin e bujqësisë, si dhe ministra e zyrtarë të lartë nga shtete të ndryshme.
Në fjalën e tij, Krasniqi prezantoi zhvillimet dhe sfidat e bujqësisë në Kosovë, duke i ndërlidhur ato me zhvillimet dhe sfidat edhe në nivelin global, duke konsideruar se e ardhmja do të jetë sfiduese për mbarë botën në sferën e sigurimit të ushqimit, për faktin se popullsia do të rritet dhe sektori i bujqësisë do të ballafaqohet me presione direkte nga rritja e urbanizimit dhe ndryshimet klimatike.
Sipas FAO-s, ne vitin 2050 botës i duhet të prodhojë 1 miliardë tonë më shumë drithëra dhe 200 milionë tonë më shumë mish, që paraqesin vetëm disa nga sifdat e mëdha për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për njerëzimin.
“Sfida e përbashkët për të ushqyer botën në të ardhmen nuk mund të tejkalohet vetëm nga qeveritë apo vetëm nga sektori privat. Duhet të jetë një përkushtim dhe përpjekje e përbashkët e të gjithëve”, deklaroi ministri Krasniqi.
Ministri Krasniqi shtoi se vendet e vogla nuk mund të ndikojnë shumë në zhvillimet e mëdha që ndërlidhen me inovacionin dhe teknologjinë në bujqësi, por shtoi se secili duhet ta ketë rolin e vet, përfshirë edhe vendet e vogla.
“Për shkak të shumë prioriteteve konkurruese, shtetet si Kosova nuk kanë mundësi që të investojnë fonde të mjaftueshme në hulumtim dhe zhvillim, edhe nëse kjo paraqet kthimin më të mirë të investimit në planin afatgjatë. Andaj, shumica e vendeve varen nga zgjidhjet e krijuara nga institucionet apo kompanitë e vendeve që kanë mundësi reale për të mbështetur inovacionin në bujqësi”, tha ai.
Forumi Global për Inovacione në Bujqësi është eventi më i rëndësishëm global që trajton fushën e inovacioneve në sektorin bujqësor dhe ka dy edicione në vit, një për rajonin e Lindjes së Mesme dhe Azisë dhe një tjetër për Evropën.
IPK rekomandoi suspendimin e tre punonjësve të policisë
Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të...
Bislimi mirëpriti zëvendës shefen e misionit të ShBA-së në K...
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta f...
Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi,...
Në rastin ndaj Bahtijarit, Januzit dhe Shalës, shtohen gjash...