Mustafa takon Bennett, flasin për BERZH

19:32 | 1 Qershor 2015
M. A.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka pritur sot zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Phil Bennett, me të cilin ka biseduar për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe hapat që po ndërmerr Qeveria në këtë drejtim, njoftoi Zyra e kryeministrit.

Gjatë takimit, Mustafa e ka njoftuar funksionarin e BERZH-it për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në krijimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj, për reformat fiskale dhe reformat e përgjithshme në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Mustafa ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht ka kërkuar mbështetjen e BERZH-it në shumë fusha të zhvillimit ekonomik, duke përfshirë sektorin privat dhe atë publik, të cilat do të kenë ndikim në hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri ka falënderuar BERZH-in për përkrahjen e projekteve konkrete në Kosovë, në infrastrukturë si dhe në mbështetjen e iniciativave biznesore.

Zëvendëspresidenti i BERZH-it Bennett ka vlerësuar lartë progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Bennett ka folur edhe për projektet e BERZH-it dhe përkrahjen e mëtutjeshme që mund të ofrojë për Kosovën, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme