Tillerson: Trump mezi pret të vizitojë Kinën

21:12 | 19 Mars 2017
Trina Galanxhi

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson i tha presidentit kinez Xi Jinping se homologu i tij amerikan Donald Trump po pret me padurim të vizitojë Kinën dhe të përmirësojë mirëkuptimin mes dy shteteve.

Tillerson u takua me udhëheqësin kinez në Pekin, në “Hollin e Madh” të popullit, në fund të turneut të tij në lindje të Azisë. Presidenti Xi, në krahun tjetër, tha se ishte i lumtur që kishte parë mjaft progres në takimet e kryediplomatit amerikan.

“Ju thatë se mërrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mund të jenë vetëm miqësore dhe unë e vlerësoj këtë”, deklaroi presidenti kinez, i cili shtoi se kishte folur disa herë me Donald Trumpin dhe se të dy presin një epokë të re zhvillimi konstruktiv.

Sekretari amerikan i Shtetit, Tillerson, duke konfirmuar bisedat tha se presidenti Trump i vlerëson shumë këto komunikime. Por në takim nuk u përmendën çështje problematike, si programi bërthamor i Koresë së Veriut; statusi i Tajvanit, që Kina e konsideron territorin e saj; dhe as militarizimi i ishujve në detin e Kinës Jugore.

Sipas ekspertëve, mirësjellja në takime dhe vlerësimi reciprok nuk eliminojnë problemet, por minimalisht krijojnë terrenin e përbashkët për t’i zgjidhur ato.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme