Rreth 30 mijë kurdë nga Turqia kanë zhvilluar një demonstratë në qytetin gjerman të Frankfurtit kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Protestuesit thuhet të jenë mbledhur nga mbarë Gjermania, përpara festimeve të vitit të ri kurd.
Ata kanë bërë thirrje për rikthimin e demokracisë në Turqi dhe për votën “Jo” në referendumin e muajit të ardhshëm mbi rritjen e mëtejshme të fuqive presidenciale. Disa prej protestuesve mbanin edhe simbolet e Partisë së ndaluar me ligj të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Turqia e dënoi këtë demonstratë duke e quajtur “të papranueshme”, ndërsa akuzoi Gjermaninë për hipokrizi që lejoi zhvillimin e saj.
Një mosmarrëveshje diplomatike është përshkallëzuar mes dy vendeve, që kur Gjermania refuzoi të lejonte ministrat turq të zhvillonin mitingje proqeveritare në vendin europian, dy javë më parë.
Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin tha përmes një deklarate se “është e papranueshme të shohësh simbolet dhe sloganet e PKK-së, në një kohë kur ministrat dhe ligjvënësit turq u ndaluan të takoheshin me qytetarët e tyre që jetojnë në emigrim. Ne u kujtojmë edhe njëherë vendeve europiane se, më 16 prill, vendimi do të merret nga kombi turk dhe jo nga Europa”.
Një zëdhënës i policisë gjermane e përshkroi protestën e së shtunës në Frankfurt si paqësore. Shumë demonstrues mbanin parulla të partisë së jashtëligjshme PKK, e cila lufton ndaj shtetit turk prej më shumë se 3 dekadash. Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë, që kur PKK-ja nisi kryengritjen në vitin 1984, ndërsa si Bashkimi Europian, ashtu dhe Shtetet e Bashkuara, e konsiderojnë atë si organizatë terroriste.
Rreth 1.4 milionë turq që jetojnë në Gjermani mund të votojnë në referendumin e prillit, i cili pritet t’i japë Erdoganit më shumë pushtet në lidhje me buxhetin dhe emërimin e ministrave dhe gjykatësve, sikurse fuqinë për të shpërbërë Parlamentin.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...