Google ADS

Mos u largoni nga intervista e punës pa bërë këto tre pyetje

01:03 | 18 Mars 2017
Trina Galanxhi

Në një intervistë pune, ai që kërkon të punësohet gjithmonë pyetet në fund nëse ka diçka të paqartë.

Ndaj para se të përgjigjeni jo dhe të largoheni, duhet të dini se pyetjet e mëposhtme, jo vetëm do ju japin më shumë mundësi të jeni e përzgjedhura, por njëkohësisht do ju ndihmojnë të merrni një shije të mirë të asaj që ju pret… nëse punësoheni.

Pra, cilat janë tre pyetjet që duhet të bëni ju në çdo intervistë pune, sipas revistës TIME?

Pyesni cila është kultura e kompanisë në të cilën kërkoni të punësoheni

Kultura e kompanisë tregon më shumë për marrëdhënien e punonjësve brenda një kompanie. Përfshin rregullat e komunikimit dhe sjelljes, aktivitetet, qëllimet, vlerat etj. Duke pyetur për të mund të mësoni më shumë për ambientin e punës, për të kuptuar pak a shumë se si do të ndiheni në të.

Pyesni si është një ditë e zakonshme e punonjësve

Është shumë e rëndësishme të mësoni për detyrat që do të keni në përditshmëri. Me këtë përgjigje mund të keni një pamje të qartë të ditës suaj në punë dhe të atyre që duhet të bëni. Gjithashtu do i tregoni punëdhënësit tuaj të ardhshëm se jeni të gatshëm të bëheni pjesë e jetës së asaj kompanie.

Pyesni se cili është hapi tjetër që vjen pas intervistës

Pas çdo interviste pune ka një periudhë ankthi. Kur do telefonojnë? Çfarë presin? Ndaj për të shmangur këtë periudhë, pyesni punëdhënësin se çfarë do të ndodhë më pas.  Nëse ju thonë që do ju telefonojnë, pyesni për datën dhe orën. Nëse ju marrin sërish për intervistë kërkoni më shumë informacion që të jeni të përgatitur.

Në fund mos harroni të falenderoni punëdhënësin dhe mbani mend diçka: edhe nëse nuk përzgjidheni nuk ka asnjë arsye për t’u ndier keq. Kërkoni t’iu thonë arsyen e refuzimit, sepse keni të drejtë të merrni një përgjigje të plotë dhe të saktë.

Një gjë e tillë do ju ndihmojë të kuptoni dhe të lini pas minuset në intervistat e radhës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme