Google ADS

Të akuzuarit e grupit të Kumanovës kërkojnë hetim ndërkombëtar

23:47 | 17 Mars 2017
Arbresh.info

Në Kumanovë kam ardhur si shumica e grupit, ndërsa arsyeja ka qenë ftesa e një qytetari nga Maqedonia, i cili thoshte se situata është e tensionuar dhe shqiptarët duhet të mbrohen. Kështu deklaroi në dëshminë e tij para trupit gjykues, Enver Hoxha-Klejn, njëri nga të akuzuarit e Rastit të Kumanovës.

I pyetur se me cilët persona nga Maqedonia ka kontaktuar dhe a i di emrat e tyre, Hoxha tha se për shkak që nuk u besoj Gjykatës dhe Prokurorisë, emra do të përmend kur rasti të hetohet nga institucionet ndërkombëtare.

 

I akuzuari Enver Hoxha ka folur edhe për keqtrajtimin që i është bërë gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje nga policia, pas pyetjes së parashtruar nga i akuzuari tjetër Lendrit Rustemi.

 

“Keqtrajtime në polici kam pasur disa herë. Herën e parë ma kanë vendosur një qese në kokë dhe ma kanë mbajtur revolen tek koka. Këtë e ke parë edhe vet ti. Nuk kam mund të marr frymë, dhe kjo ka zgjatur rreth një orë. Herën e dytë në një stacion tjetër të policisë përsëri më kanë vendosur qese ne kokë dhe revolen, në dhomën e stacionit ka pasur 4 a 5”, ka thënë Enver Hoxha – Klein.

 

Avokatja e të akuzuarit Hoxhaj, Artene Ademi-Iseili deklaroi se klienti i saj vendosi të dëshmojë para trupit gjykues për të shprehur mosbesimin ndaj institucioneve juridike të vendit.

 

“I njëjti shfaqi dyshimet në hetimin e mirëfilltë të këtyre ngjarjeve, insiston dhe kërkon hetim të mirëfilltë, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë avokatja mbrojtëse Artene Ademi-Iseili.

 

Ndërsa, avokati tjetër i disa të akuzuarve nga rasti i Kumanovës, Naser Raufi, tha se emri i publikuar nga disa portale i inspektorit nga Kumanova, Armend Afuzi është e pavërtetë, informon Tv Shenja.

 

“Disa portale bënë spekulime që është Armend Afuzi me mbiemër.

 

Jam i sigurt prej dëshmive deri tani dhe prej vetë të akuzuarve që nuk është personi në fjalë Armend Afuzi, por ndonjë Armend me mbiemër që ende nuk e kemi detektuar.

 

Ne e kemi konfirmuar këtë punë dhe e kemi argumentuar në kontakt me vetë të akuzuarit që personi nuk është Armend Afuzi, është me emrin Armend, por mbiemrin nuk e kemi konfirmuar deri më tani, është e sigurt që nuk është personi Armend Afuzi”,ka deklaruar avokati mbrojtës Naser Raufi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme