Dorëzohet nisma për vazhdimin e seancës së Kuvendit të Maqedonisë

22:26 | 17 Mars 2017
Arbresh.info

Kryetari në largim i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski ka pranuar 67 nënshkrimet e deputetëve të shumicës parlamentare, ku kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive dhe caktoi takim koordinues të grupeve parlamentare për të martën.

Në njoftimin e kabinetit të Veljanovskit thuhet se në takimin koordinues duhet të vërtetohet përbërja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive.

Ky komision do të shqyrtojë emrat e mundshëm të kandidatëve për kryetar të Kuvendit, detyra e parë e të cilit do të jetë kërkimi i mandatit për formimin e Qeverisë së re nga Presidenti Gjorge Ivanov.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski deklaroi se partitë akoma nuk kanë diskutuar mbi kandidatin e mundshëm për në krye të legjislativit, raporton Alsat-M.

“Presim që të caktohet seanca, kurse paraprakisht do të ulemi, të gjithë opsionet politike dhe do të diskutojmë rreth kandidatit të mundshëm që do të propozohet si kryetar i ardhshëm i Kuvendit”, tha Spasovski.

I pyetur nëse do të ketë qeveri deri në datë 24 mars, ashtu siç i kishte shprehur paraprakisht pritjet e tij, lideri i LSDM-së Zoran Zaev tha se kjo nuk është në dorën e tij, por do të dëshironte që të ndodhte sa më shpejt.

“E dini se punët nuk varen vetëm nga Zaev. Me gjasë nuk varen as nga ndonjë individ, por nga të gjithë ne politikanët bashkë. Unë do të doja edhe në datë 20, 21, 22 po edhe më herë të ketë qeveri, por kjo nënkupton fillimisht caktimin e seancës, zgjedhjen e kreut të Kuvendit, kërkesë me shkrim deri te Ivanov dhe vendim nga ai se kur do të japë mandatin”, deklaroi Zaev.

Pjesa e parë e seancës konstituive u zhvillua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Në të u verifikuan vetëm mandatet e deputetëve dhe që nga kjo periudhë Kuvendi ka qenë jofunksional./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme