Duke iu referuar të dhënave të misionit monitorues të autoriteteve italiane, raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën ndërkombëtare kundër drogës vëren se gjatë vitit 2016, në Shqipëri, sipërfaqja e kultivuar me kanabis është shtuar me pesë herë në krahasim me vitin 2015.
Sipërfaqja e kultivuar me kanabis sativa gjatë vitit 2016 vlerësohet se është rritur me mbi pesë herë në krahasim me një vit më parë, ndonëse edhe sekuestrimet e drogës të raportuara nga policia shqiptare janë shumëfishuar, vëren Departamentit Amerikan të Shtetit në “Raportin Ndërkombëtar të Strategjisë së Kontrollit të lëndëve Narkotike” për këtë vit.
Raporti i cili përgatitet nga Departamenti i Shtetit për Kongresin në përputhje me Ligjin për Ndihmën e Huaj, përshkruan përpjekjet e vendeve të ndryshme për të luftuar tregtinë ndërkombëtare të drogës,shkruan BIRN.
“Shqipëria mbetet një burim i rëndësishëm për marijuanën si dhe një rrugë tranzit për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregjet Europiane,” shkruhet në raportin e publikuar të enjten, një fjali kjo e njëjtë me raportin e vitit paraardhës. Por ndërsa vlerësimi mbi gjendjen nuk ka ndryshuar në sytë e Departamentit të Shtetit, vlerësimi mbi rolin e autoriteteve shqiptare në luftën kundër drogës ka ndryshuar. Në raportin për vitin 2015, arrestimet dhe sekuestrimet e drogës nga policia shqiptare vlerësoheshin si “impresionuese”, fjalë që nuk u përdor më në raportin për vitin e kaluar.
“Ndërsa autoritetet shqiptare raportuan një rritje të arrestimit dhe shkatërrimit të plantacioneve të kanabisit më 2016, pati gjithashtu raporte për rritje të kultivimit të kanabisit në vend,” thuhet në raportin e fundit.
Duke iu referuar të dhënave të Guardia di Finanza, forcës policore italiane që prej vitesh ndihmon qeverinë shqiptare me patrullim nga ajri për të identifikuar fushat me kanabis, Departamenti i Shtetit raporton se nga ky monitorim është llogaritur se sipërfaqja e kultivuar me kanabis është rritur me mbi pesë herë.
“Fluturimet kontrolluese të Guardia di Finanza të Italisë identifikuan 2,086 plantacione të dyshuara të kanabisit dhe matën gjithashtu një rritje me pesë herë në nivelin e përgjithshëm të kultivimit,” thuhet në raport.
Fluturimet e Guardia di Finanza zakonisht kontrollojnë rreth 15 për qind të territorit të Shqipërisë ndërsa ekspertët thonë se këto fluturime, ndonëse janë në gjendje të identifikojnë një pjesë të konsiderueshme të fushave me kanabis, nuk mund të identifikojnë të gjitha fushat në zonën e monitoruar për shkak të terrenit të thyer malor.
Të dhënat që nga viti 2014 të Guardia di Finanza raportojnë për një rritje dramatike të numrit të fushave të kultivuara dhe identifikuara. Kështu, në vitin 2014, Guardia identifikoi 815 plantacione me rreth 165 mijë rrënjë ndërsa në vitin 2015 u identifikuan 1,200 plantacione me rreth 243 mijë rrënjë. Gjatë vitit 2016 raportohet se u identifikuan 2,086 plantacione me rritje pesë herë në “nivelin e përgjithshëm të kultivimit,” sipas Departamentit të Shtetit.
Kultivimi i kanabisit në Shqipëri ka qenë një fenomen i njohur që nga fillimi i viteve 1990, por sipërfaqet e mbjella gjatë vitit 2016 konsiderohen të stërmëdha ndërkohë që paratë e paligjshme të akumuluara nga kultivuesit dhe trafikantët besohet se do të kenë pasoja të rënda afatgjata për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Kultivimi i kanabisit është kthyer ndërkohë në një debat politik në Tiranë, ku Partia Demokratike në opozitë akuzon qeverinë se ka toleruar dhe bashkëpunuar me grupet kriminale me synimin për të përdorur mbjelljen e drogës si një levë për të fituar mbështetje politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Qeveria i hedh poshtë akuzat duke argumentuar se kultivimi i drogës nuk është rritur, por evidentimi i parcelave të mbjella është rritur shumëfish në krahasim me vitet kur vendi kishte në qeveri koalicionin PD-LSI.
Gjithsesi, të dhënat e Guardia di Finanza duket se konfirmojnë perceptimin e përgjithshëm për një rritje shumëfish të sasisë së sipërfaqes së kultivuar si dhe zhvillimin e kultivimit të marijuanës në shkallë industriale.
Sa i përket luftës kundër drogës nga ana e policisë, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se Policia Shqiptare arrestoi 1,349 njerëz për shkelje të ligjeve kundër drogës gjatë vitit 2016, nga 827 vetë qe qenë arrestuar për “dhjetë muajt e parë të vitit 2015”.
Kuptohet që në të dyja vitet, numri dërrmues i të arrestuarve nuk i përkasin krimeve të rënda. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, 158 hetime u hapën gjatë vitit 2016, në krahasim me 81 hetime të hapura në vitin 2015. Në anën e dënimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda dha gjatë vitit të kaluar 65 dënime, ndërsa në vitin 2015 pati dhënë 68 dënime.
Shumica e të arrestuarve për drogë trajtohen nga gjykatat e zakonshme ndërsa të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” të përfshirë në krim të organizuar, gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Përveç raportit për luftën kundër drogës, Departamenti i Shtetit publikon edhe raportin për luftën kundër pastrimit të parave. Por në këtë fushë, rezultatet janë akoma më të dobëta se sa në luftën kundër drogës.
Raporti i DASH vëren se pastrimi i parave të fituara në aktivitete ilegale, si kultivimi dhe trafiku i drogës, është i lehtë në Shqipëri, veçanërisht në industrinë e ndërtimit dhe në industrinë e bixhozit. Megjithatë, raporti vëren se “deri në mes të vitit 2016, katër çështje të pastrimit të parave janë dërguar në gjykatë nga prokuroria dhe gjashtë të akuzuar janë shpallur fajtorë.”
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...