Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë përsëritur në Samitin e Sarajevës se qëllimet kryesore të të gjitha vendeve të rajonit janë integrimi evropian, bashkëpunimi ekonomik dhe lidhja infrastrukturore.
“U përqendruam në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. Kemi diskutuar për qarkullimin më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve, heqjen e barrierave, krijimin e asociacioneve siç janë odat ekonomike dhe ide të tjera”, tha në një konferencë me gazetarë pas përfundimit të Samitit, kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Denis Zvizdiq.
Ai tha se komisionari i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, në Samit e ka “definuar një dimension të ri të bashkëpunimit, ka kthyer fokusin e BE-së në hapësirat e Ballkanit Perëndimor dhe ka vërtetuar perspektivën evropiane të rajonit”.
Vetë komisionari Hahn tha në konferencë se ka “biseduar me kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e BE-së për të punuar në integrimin e mëtejmë të rajonit dhe anëtarësimin e plotë të rajonit në BE”.
“Vendet evropiane e kanë konfirmuar këtë qëndrim një javë më parë. Por ka ende punë për të bërë për ta arritur këtë synim. Kemi diskutuar sot se si ta bëjmë këtë proces jo vetëm më të dukshëm, por gjithashtu edhe qytetarët në rajon të bëhen një vlerë e shtuar për të gjitha këto aktivitete. Kjo nënkupton të punohet me BE-në, të punohet në këtë perspektivë evropiane”, tha Johannes Hahn.
Samiti i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.
Në takimin e kryeministrave në Sarajevë me mikpritësin Denis Zvizdiq morën pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i Shqipërisë Edi Rama, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Kosovës Isa Mustafa, ndërkohë që Maqedoninë e përfaqësoi Emil Dimitriev.
Në Samit mori pjesë edhe komisionari i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, vendi i të cilit në korrik do të jetë mikpritës i Samitit të Ballkanit Perëndimor. Samiti mbahet në Trieste.
Komisionari i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, tha të enjten në samitin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillon punimet ne Sarajevë, se “takimi dëshmon se pronësia mbi procesin e Berlinit është në këtë pjesë të Evropës”.
Ai tha se edhe pse disa vende po përballen me kriza serioze dhe “me rritjen e retorikës nacionaliste” megjithatë po ecet përpara. Hahn tha se ky është proces serioz dhe se ideja është që rajoni të përgatitet për anëtarësim në BE.
“Propozojmë një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si një bazë për qasje dhe krijim të një hapësire të përbashkët ekonomike dhe të tregut si një përgatitje për tregun evropian. Me punën e përbashkët hapen të paktën 80 mijë vende të punës deri më 2025-n. Kjo hapësirë është në prag të tregut evropian dhe me ndërlidhje rriten edhe shanset. Flas për investitorë realë, sepse ky treg është i përbashkët për 20 milionë banorë”, tha Hahn.
Hahn ka ripërsëritur qëndrimin e tij të mëhershëm se nuk duhet të luhet me zjarr dhe se është koha që të shfrytëzohet kjo mundësi, në fakt “të tregohet lidership i burrështetasve, që është në interes të Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht edhe qytetarëve të këtyre vendeve”.
Samiti po mbahet nën masa të rrepta të sigurisë. Forca të shtuara të sigurisë janë mbështetur edhe nga snajperë.
Takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të përqendrohet në projektet rajonale dhe në bashkëpunimin ndërmjet tyre në, siç thuhet, ruajtjen e stabilitetit dhe në prosperitetin ekonomik. (REL)
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë a...
OpenAI lanson falas aplikacionin ChatGPT në Windows
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...
Bedri Hamza merr mbështetje nga Taulant Xhaka
”Nëse e nxen përpara, ta jap dorën!”, Edi e Driloni në betej...
Kica-Xhelili i reagon Kurtit: Doracakët i keni miratuar e sh...