Mustafa i kundërpërgjigjet Vuciqit

18:36 | 16 Mars 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në samitin e Sarajevës nga kryeministri serb Aleksandar Vuçiq duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha Mustafa në samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt sot në Sarajevë.

Në takim, përveç kryeministrit Mustafa ishin edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.

Kryeministri Mustafa u prit në hapje të Samitit nga homologu boshnjak, Denis Zvizdiq. Më pas, kryeministri Mustafa ka marrë pjesë në punimet e Samitit, ku para të pranishmëve ka prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, si dhe ka shprehur qëndrimet lidhur me proceset e mëtejme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

“Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha kryeministri.

Ai ka folur edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja.

“Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit”, tha kryeministri, duke kërkuar që t’i jepet përparësi disa prej aspekteve konkrete që lidhen me lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-së.

Mustafa ka folur për agjendën e konektivitetit, për kompletimin e Autostradës 7, që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi, për fazën e avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidh Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor, për bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Ndërkaq mbrëmë, kryeministri Mustafa mori pjesë në darkën e shtruar për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të pranishëm në Samitin e Sarajevës.

Gjatë takimeve, është diskutuar për proceset eurointegruese të vendeve të rajonit, për bashkëpunimin ndërmjet tyre si dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme.

Ky Samit, është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme