Tusk: Turqia është krejtësisht jashtë realitetit

23:43 | 15 Mars 2017
Trina Galanxhi

Turqia është shkëputur plotësisht nga realiteti.

Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk referuar këtu deklaratës së presidentit Rexhep Tahip Erdogan dhe zyrtarëve të tjerë të lartë turq që e kanë quajtur Holandën mbetje naziste, fashite dhe raciste.

Deklarata e tij vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Amsterdamit janë të tensionuara në maksimum dhe në kohën kur Holanda sot voton për të zgjedhur qeverinë e re, rezultat i cili pritet të jetë edhe një test i drejtëperdrejtë për Bashkimin Europian. Në fjalën e tij në Parlamentin Europian të mërkurën, Tusk tha se Holanda ishte “një vend i lirisë dhe demokracisë”

“Qyteti i Erasmus, shkatërruar brutalisht nga nazistët, sot ka një kryetar të lindur në Marok. Nëse dikush sheh fashizëm në Roterdam, ata janë të shkëputur plotësisht nga realiteti”, tha Tusk në fjalën e cila mori duartrokitjet e sallës

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ashpërsoi retorikën e tij kundër Roterdamit kur akuzoi Holandën si përgjegjëse për masakrën e Srebenicës në Bosnjë në vitin 1995.

Vrasjet e burrave dhe djemve myslimanë u kryen nga forcat serbe të Bosnjës dhe komentet e Erdogan u dënuan nga kryeministri holandez si një “falsifikim i ndyrë” .

Shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se ishte i “skandalizuar” nga vërejtjet e Presidentit Erdogan, të cilat tha ai e çojnë Turqinë larg Bashkimit Europian.

Vitin e kaluar, Parlamenti Evropian bëri thirrje për pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE, dhe këto thirrje duken se do të rriten edhe me shumë me zhvillimet e fundit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme