Hoxha: Më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet

17:53 | 15 Mars 2017
M. A.

Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet, theksoi Ministrja Hoxha gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Prishtinë, 15 Mars 2017 – Me qëllim të njohjes me të arriturat, sfidat dhe situatën në Gjykatat Themelore, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të ngritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka zhvilluar vizitë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është pritur nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Afërdita Bytyçi me bashkëpunëtorë.

“Nga këto vizita, kemi evidentuar të arriturat dhe sfidat e gjykatave themelore, kushteve në këto gjykata, ambientet e punës dhe çështjet që lidhen me ngritjen e performancës, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Me kënaqësi konstatoj se angazhimi dhe përkushtimi i gjykatësve për sundim efektiv të ligjit nëpër gjykatat themelore është për çdo lëvdatë”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha u zotua se do të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në promovimin e të arriturave dhe avokuese e palodhshme e përmirësimit të gjendjes nëpër gjykatat themelore duke theksuar se prioriteti i qëndrueshëm është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërësinë e tij.

“Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet”, theksoi Ministrja Hoxha gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi vlerësoi lartë vizitën e Ministres Hoxha dhe theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

“Me gjithë sfidat, Gjykata Themelore e Prishtinës ka të arritura të theksueshme; me përgjegjësi është duke përmbushur misionin e vet ligjor, misionin e sundimit të ligjit, transparencës, duke kontribuar kështu në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi Kryetarja Bytyçi.

Në këtë takim është vënë dukje se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit, e ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin, duke siguruar bashkë-angazhimin e të gjitha instancave të sistemit të drejtësisë gjithnjë duke u bazuar, ndër të tjera, mbi parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme