MASHT-i nuk i shlyen borxhet e UP-së, Agjencia e Akreditimit nuk pret

06:55 | 1 Qershor 2015
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmjetësojë në shlyerjen e borxheve që Universiteti i Prishtinës i ka ndaj Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), peng i së cilave kanë mbetur riakreditimi i 60 programeve të UP-së, të cilat duhet të vlerësohen gjatë muajit qershor, shkruan sot KD.

Kjo, ngase Agjencisë nuk i ka mjaftuar garancia që i ka ofruar UP-ja se do t’i shlyejë obligimet financiare për programet e këtij viti, menjëherë pasi që të bëhet vlerësimi i tyre.

Ajo vazhdon të insistojë në marrjen e borxheve të vjetra, që kapin shumën prej mbi 200 mijë eurosh, e të cilat UP-ja deklarohet se s’ka buxhet t’i paguajë. Ndërkaq këtë nuk do ta bëjë as Ministria nga e cila ka kërkuar ndihmë UP-ja.

UP-ja në muajin maj i ka kërkuar Ministrisë që t’i ndihmojë rreth këtyre borxheve, duke i hequr krejt ato, apo duke i marrë përsipër që t’i paguajë nga ndonjë linjë tjetër buxhetore jashtë Universitetit.

Por Ministria përfundimisht ua ka bërë të qartë Universitetit dhe Agjencisë se çështjen e borxheve duhet ta zgjidhin vetë, ashtu siç obligohen me dispozitat ligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme